Edhe pse kanë kaluar tre vjet prej se kanë filluar, punimet në zgjerimin e rrugës nacionale Prishtinë – Podujevë kanë mbetur në gjysmë, transmeton Llapi.info.

Zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës thonë se arsye për këtë është mos-shpronësimi i tokave, e për këtë kanë mbetur pa u ndërtuar edhe nënkalimet afër shkollës në fshatin Gllamnik.

Për këtë, vozitësit po ankohen se rreziku për aksidente është rritur, pasi që siç thonë ata, s’ka shenja sinjalizuese dhe se ka hyrje-dalje në çdo lagje.

“Ka rreziqe për kalimtarë, nxënës e udhëtarë. Jemi të zhgënjyer se s’ka bërë investime MI-ja në krye me Pal Lekajn. Kërkojmë urgjentisht të merren masa nga Qeveria e ardhshme për rregullimin e këtyre problemeve”, ka thënë një qytetar për Televizionin Publik të Kosovës.

Por, qytetarët tashmë kanë një shpresë, e atë e shohin në qeverinë që është në ndërtim e sipër.

Në anën tjetër, nga Ministria e Infrastrukturës e kanë pranuar se punimet s’janë me dinamikë, ndërsa sqarojnë se pa u shpronësuar pronat nuk do të ketë vazhdim të punimeve./Llapi.info

Për më shumë, ndiqeni videon e mëposhtme: