Zgjedhjet e parakohshme Vetëvendosjen fituese. Ende pa u formuar legjislatura e shtatë kreu i kësaj partie Albin Kurti ka premtuar reforma të thella në drejtësi, ekonomi, arsim e shëndetësi.

Por një nga çështjet me prioritet të kësaj Qeverie, do të mbetet vazhdimi i dialogut Kosovë-Serbi.

Bashkëpartiaku i Kurtit, Rexhep Selmi, konsideron se Qeveria e udhëhequr nga Kurti, do të ketë qasje dhe raport tjetër ndaj dialogut, duke u shprehur se VV-ja nuk do ta lëndojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.

“Ne do të kemi raport dhe qasje krejt tjetër kundrejt Serbisë pa e lënduar asnjëherë Sovranitetin dhe Integritetin territorial të Republikës dhe poashtu me një transparencë maksimale do ti qasemi këtij problemi një problem që kërkon zgjidhje”.

“Tashmë Lëvizja Vetëvendosje dhe kryeministri i ardhshëm Kurti ka dhënë qëndrimet dhe deklarimet e tij se si do ti qasemi raportit me Serbinë. Raporti me Serbinë nuk do të thotë që do të ketë patjetër negociata, raporti me Serbinë fillimisht duhet të ketë raport reciprociteti politik, tregtarë dhe ekonomik e pastaj përtej kësaj shohim e bëjmë”, tha Selimi.

Selimi është shprehur se procesi i dialogut i zhvilluar deri më tani ndërmjet palës kosovare dhe asaj serbe, ka qenë plotësisht gabim, duke e parë Kosovën si palë humbëse.

Madje ai është shprehur se presidentët Thaçi e Vuqiq, ishin dakorduar për një sërë marrëveshjesh të fshehta.

“Ne nuk e shohim asnjë marrëveshje veç e veç dhe nuk i ndajmë këto marrëveshje nga i gjithë procesi. I gjithë procesi ka qenë gabim, në gjithë atë proces Kosovë veçse ka humbur sepse në atë proces janë diskutuar kërkesat e Serbisë kundrejt Kosovës që kanë qenë kërkesa kundër kushtetutës, kundër rendit kushtetues, kundër ndërtimit të brendshëm shtetëror të Kosovës, prandaj ne nuk i ndajmë marrëveshjet ne e denoncojmë të gjithë procesin si një proces i gabueshëm për Kosovën”.

“Në raport me Serbinë ne duhet të kemi krejt qasje tjetër ju kujtohet opinionet që të gjitha marrëveshjet apo bisedimet janë bërë prapa syve të opinionit kanë qenë marrëveshje të fshehta, në mes Thaçit dhe Vuçiqit ose më herët mes Thaçit dhe Daçiqit. Marrëveshje të cilat janë ratifikuar akoma pa i ditur se çfarë janë si të tilla në Parlamentin e Kosovës”.

“Marrëveshja për Demarkacionin ka qenë një marrëveshje e cila për fat të keq është bërë nga dy qeveritë dhe është ratifikuar nga dy parlamentet respektive nga i Malit të Zi dhe Kosovës ne atëherë qeverisjes së atëhershme u kemi thënë se po bëjnë gabim të madh që po e ratifikojnë sepse ratifikimi i jep vulë asaj marrëveshje sepse këto janë rregullat e marrëveshjeve ndërkombëtare. Sikur ne të mos e kishim ratifikuar këtë tashmë do ta kishim të shpëtuar pjesën që Mali i Zi tashmë po e administron për fat të keq pas ratifikimit nga qeveria e kaluar në Kuvendin e Kosovës”.

Përveç dialogut Kosovë-Serbi, Qeveria Kurti pritet që përgjegjësi të mbajë edhe për taksën 100 për qind të vendosur gjatë mandatit të kryeministrit në detyrë, Ramush Haradinaj, për të cilën Selimi shprehur se Kosova nuk duhet të jetë inferiore ndaj Serbisë, por të mbajë reciprocitet të plotë tregtar, ekonomik e politik, me shtetin fqinjë.

“Ne do të vendosim reciprocitet të plotë politik tregtarë dhe ekonomik, këtë e kemi thënë edhe kur kemi qenë në parlament edhe kur kemi qenë në opozitë edhe para se me vu taksën Haradinaj, e kemi thënë gjithmonë sa kemi qenë në Kuvendin e Kosovës që, Kosova nuk duhet të ketë inforiritet ndaj Serbisë por reciproritet të plotë tregtarë, ekonomik e politik. Taksa do të zëvendësohej me nivele më të larta të shtetësisë kundrejt Serbisë e jo të ishte e izoluar vetëm në tarifa dhe në masa tarifore”.

Selimi Gjykatën Speciale e sheh si një institucion të padrejtë të drejtësisë, madje sipas Selimit, kjo gjykatë është tërësisht e padrejtë kur bëhet fjalë për UÇK-në, raporton EO.

“Parlamenti i Kosovës për fat të keq e ka ratifikuar me shumicë me 2/3 e kemi kundërshtuar si padrejtësi dhe jo si drejtësi, ka ardhur si drejtësi padrejtësia më e madhe që i ka ndodhur ndonjëherë shqiptarëve të Kosovës ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, proceset janë në një fazë të tillë që tash parlamenti duhet të ketë numrat e njëjtë për ta zhbërë eventualisht por procesi është shkuar deri atje sa që disa procese tashmë janë të pakthyeshme”.

“Sido që të jetë ne vazhdojmë ta konsiderojmë si një padrejtësi ndaj UÇK-së dhe popullit shqiptar e sidomos ndaj kauzës së popullit shqiptar për liri e çlirim”, përfundoi Selimi.