Përderisa punimet ende s’kanë përfunduar, magjistralja Prishtinë – Podujevë vazhdon të jetë e rrezikshme për pjesëmarrësit rrugorë, njofton Llapi.info.

Në të shumtën e rasteve, vozitësit në këtë magjistrale ngasin automjetet e tyre në kah të kundërt. Një rast ka ndodhur edhe këto ditë, ku në pamjet që lexuesit e portalit kanë dërguar, shihet vetura që lëviz në drejtimin Prishtinë – Podujevë në kah të kundërt.

Lëvizjet në kah të kundërt të automjeteve ndodhin shpeshherë nëpër rrugë të ndryshme të Kosovës, e në disa prej tyre kanë rezultuar edhe me fatalitet. Policia vazhdimisht ka apeluar nga qytetarët në përgjithësi dhe drejtuesit e automjeteve në veçanti, që të respektojnë rregullat e trafikut rrugor, me theks të veçantë të mos bëjnë shkelje të rregullave të qarkullimit.

Duhet theksuar se punimet në zgjerimin e kësaj rruge nacionale ende nuk janë kryer, përkundër që të njëjtat po bëhen 4 vite prej se kanë filluar. Frekuentuesit e rregullt janë ankuar, pasi që siç thonë ata, s’ka shenja sinjalizuese dhe se ka hyrje-dalje në çdo lagje./Llapi.info