Komisioni Disiplinor ka marrë vendim për ndeshjen Llapi – Ferizaj, në të cilën triumfuan mysafirët me rezultat 4-2, njofton Llapi.info.
Sipas FFK-së, në këtë ndeshje pati tensione të mëdha, pasi tifozët vendas mësynë fushën duke sulmuar lojtarët e Ferizajt në fundin e pjesës së parë. Për këtë skuadra e Tahir Batatinës është dënuar me dy ndeshje pa tifozë në Podujevë.
Kryetrajneri i Llapit, Tahir Batatina i kishte mohuar incidentet, duke ia lënë fajin policisë dhe sigurimit të ndeshjes. Llapi ndeshjet pa tifozë do t’i luajë ndaj Trepçës ’89 dhe Drenicës.
E pas këtij vendimi ka reaguar edhe klubi llapjan nëpërmjet një postimi zyrtar në Facebook, duke e cilësuar këtë vendim si të dëmshëm për Llapin.
“Bëjmë thirrje tek tifozët tanë, futbolldashësit dhe “Legjendat” të jenë të qetë ndaj këtij vendimi aspak të drejtë dhe të pabazë pasi që ky vendim është i tëri në dëm të klubit, ku pa asnjë fakt e dëshmi dënojnë klubin kinse për sulm të publikut ndaj futbollistëve kundërshtar. Ndërsa FFK-së dhe Komisionit diciplinor përkatës publikisht iu themi se nëse munden, le të ia ndalojnë televizionet tifozëve, pasi ndeshja do jetë në transmetim të drejtpërdrejt në Supersport”, thuhet ndër të tjerash në reagim./Llapi.info