Llapi ka triumfuar sot në “Zahir Pajaziti”, duke e mposhtur bindshëm 4-1 Trepçën ’89, njofton Llapi.info.
Golat për klubin nga Podujeva i shënuan Labinot Osmani (2), Bunjamin Emini (1) dhe Muhamet Hyseni (1), kurse për ekipin nga Mitrovica golin e vetëm e shënoi Muharrem Jashari.
Pas kësaj fitoreje, trajneri i Llapit, Tahir Batatina ka thënë se skuadra e tij vazhdon të dëmtohet nga gjyqtarët.
“Zhdrellës padrejtësisht iu dha kartoni i kuq dhe pezullimi i tij ishte i padrejtë, kurse sot na u mohuan dy penallti, sepse kur nuk të akordohen dy penallti në një derbi atëherë prishet imazhi i futbollit kosovar”, deklaroi i pari i Llapit për “Super Sport Kosova”.
Shefi i shtabit teknik te Llapi ishte i bindur që skuadra e tij do ta kthente lojën, teksa e ka edhe një dedikim special për fitoren.
“Kam pas besim në lojtarë për rikthim në këtë takim ashtu siç bëmë ndaj Vushtrrisë, goli i parë erdhi në kohën më të mirë dhe pastaj gjithçka ishte më e lehtë për ne falë lojtarëve tanë me përvojë që dinë ta vendosin lojën. Fitoren ua dedikoj tifozëve tanë Legjendat që për fat të keq nuk ishin prezentë sot”, përfundoi Batatina.
Falë fitores ndaj Trepçës ’89, Llapi ngritet në pozitën e dytë me 20 pikë, aq sa ka edhe Ballkanit, por që ka një ndeshje më shumë për të luajtur.
Në xhiron e radhës, Llapi dhe Gjilani zhvillojnë derbin javës së 11-të, kurse Trepça ’89 pret Ferizajn./Llapi.info