Më në fund janë kryer punimet sa i përket asfaltit në rrugën e Xhamisë, buzë lumit Llap, njofton Llapi.info.

Në fillim të dhjetorit ishte përfunduar njëra pjesë me asfalt, ndërsa në tjetrën nuk e kanë lejuar banorët dhe pronarët e tokës.

Asfaltimi nuk u krye në tërësi buzë lumit Llap. Krejt kjo, pasi që Komunës së Podujevës dhe Agim Veliut i doli punë me shpronësime, derisa banorët patën ndalë punimet, pasi që siç thoshin (banorët e lagjes së Blakçorëve), Komuna i pati ndërruar fjalët sa i përket shpronësimit.

Banorët e kësaj lagjeje patën thënë se i pari i Podujevës, Agim Veliu, u kishte premtuar atyre se nëse lejojnë ndërtimin e kësaj rruge do të jepen leje për ndërtim të ulët, të mesëm dhe të lartë dhe të gjitha taksat komunale do të binin në barrë të administratës komunale. Por, kur kishte ardhur koha për asfaltim, sipas tyre, kreu i Komunës kishte ndërruar fjalët, me ç’ rast edhe u patën ndërprerë punimet.

Rruga ka mbetur në gjysmë për gati një vjet, teksa tani banorët dhe komunarët duket se kanë gjetur gjuhën e përbashkët, ku edhe ka nisur të asfaltohet pjesa tjetër. Kështu ka thënë në një postim në rrjetin social Facebook i pari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu.

Image may contain: one or more people, sky and outdoor

“Punimet në asfaltimin e rrugës, në pjesën e qytetit pranë lumit, tek xhamia, po shkojnë drejt finalizimit. Pas përfundimit të asfaltimit do të kompletohet edhe pjesa tjetër e infrastrukturës, përfshirë trotuaret dhe ndriçimin publik”, ka shkruar ai sipër fotografive të publikuara.

Kujtojmë, në lidhje me këtë çështje, nëpër seanca të rregullta të Kuvendit Komunal ka pasur debate të ashpra, ndërsa më 30 nëntor të vitit 2018 kjo rrugë u shpall në interes publik./Llapi.info