Llapi është mposhtur si mysafir i Gjilanit me rezultat të thellë 3-0 në kuadër të javës së 11-të në Superligë, njofton Llapi.info.

Tomislav Busiç, Bedri Greca dhe Gerhard Progni realizuan për gjilanasit për arkëtimin e tre pikëve të vlefshme për primatin e tabelës.

Pas humbjes, tekniku llapjan, Tahir Batatina ka shpërthyer ndaj gjyqtarëve dhe FFK-së.

I pari i Llapit është ndarë i pakënaqur me humbjen e skuadrës së tij në duel me Gjilanin, teksa ka “kërcënuar” se kampionati edhe mund të ndërpritet.

“Pjesa e parë ishe i nivelizuar, por në pjesën e dytë ne humbëm paksa ritmin. Nuk dua të ndalem shumë te loja, sa në nivelin organizativ dhe kjo gjë është e patolerueshme. Federata e Futbollit e Kosovës duhet ta dijë që nuk janë vetëm dy klube në Superligë, Gjilani dhe Drita, por janë edhe dhjetë ekipe të tjera. Kështu siç po shkon kampionati, atëherë rrezikon të ndërpritet. Unë pas ndeshjes pashë teksa goditeshin arbitrat në formë të dhunshme. Komoditeti i tepërt që u kanë premtuar atyre nga dikush ka bërë që të vjen deri te kjo gjendje”, deklaroi Batatina për SSK.

Ai gjithashtu foli edhe për objektivat e skuadrës së tij, teksa mbetet optimist se mund t’i arrijnë ato.

“Jemi brenda objektivave pasi që jemi katër pikë larg kreut të tabelës dhe do të luftojmë deri në fund”, ka thënë ai.

Pas kësaj fitoreje, Gjilani e gjen vetën në krye të tabelës me 24 pikë, kurse Llapi ka 20 sosh dhe aktualisht radhitet në pozitën e katërt.

Edhe në kuadër të javës së dymbëdhjetë, Llapi do të jetë në cilësinë e skuadrës mysafire pasi që udhëton drejt “Ferki Aliut” për t’u përballur me Vushtrrinë./Llapi.info