Klubi nga Podujeva, KF Llapi ka pësuar humbjen e dytë rresht në elitën e futbollit kosovar, duke u mposhtur me rezultat minimal 1-0 nga Vushtrria, njofton Llapi.info.
Golin e vetëm në këtë ndeshje e shënoi Eri Lamçja, kur po zhvillohej minuta e 26’ e ndeshjes.
Pas kësaj disfate, kryetrajneri i Llapit, Tahir Batatina ka akuzuar sërish gjyqtarët e ndeshjes, teksa ka thënë se dhënia e shumtë të kartonëve të verdhë dhe të kuq për ekipin e tij po ndikojnë jashtëzakonisht shumë.
“Pranuam një gol i cili nuk duhej pranuar. Ne kemi udhëtuar për të luajtur futboll, por vetëm futboll sot nuk kemi luajtur. Nuk dua të ankohem në ndarjen e drejtësisë vetëm pse kemi humbur, ose edhe ndoshta që jemi bërë të tepërt, por sinqerisht kartoni i kuq ishte i paarsyeshëm në futbollistin Benjamin Emini”, ka thënë fillimisht Batatina.
“Jemi penalizuar shumë nga gjyqtarët që po ndëshkojnë pa masë futbollistët tanë, por do ta zgjidhim edhe këtë problem. Vushtrria e meritoi fitoren, megjithëse përveç golit nuk bëri asgjë tjetër. Ne patëm disa raste në pjesën e dytë, por nuk i shfrytëzuam. Ndoshta jemi të ngarkuar psiqikisht deri në gjetjen e golit të parë”, deklaroi pas ndeshjes numri një i Llapit.
Më pas ai kritikoi edhe futbollistët e tij për qasjen në mënyrën e lojës, teksa la të nënkuptohet që nga ndeshja e ardhshme do të ketë shumë ndryshime.
“Nuk po mungon dëshira për lojë, por disa lojtarë po mendojnë se janë të paprekshëm në formacion. Nuk luan emri dhe mbiemri dhe as se kush ke qenë, por se kush je tani”, përfundoi Batatina.
Pas kësaj humbje, Llapi ka 20 pikë në vendin e pestë, ndërsa Vushtrria arrin në kuotën e 9 sosh dhe radhitet në pozitën e 11.
Në xhiron e radhës, Llapi pret në “Zahir Pajaziti” Drenicën, e që edhe në këtë ndeshje do ta luaj pa tifozë, ndërsa Vushtrria do të ketë punë me Trepçën ’89./Llapi.info