Llapi u është rikthyer fitoreve në kampionat duke e mposhtur në shtëpi ekipin e Drenicës me rezultat 1-0, raporton Llapi.info.

Gjatë gjithë pjesës së parë, llapjanët dominuan tërësisht ndeshjen, teksa pas pesë minutave lojë rrezikuan seriozisht portën kundërshtare.

Vetëm pesë minuta më vonë (10), nikoqirët zhbllokuan rezultatin me anë të Mentor Zhdrellës, i cili u asistua nga Mërgim Pefqeli. Skuadrat patën disa raste shënimi në çerekun e dytë të pjesës së parë, por rastet s’u konkretizuan me gol. Pjesa e parë në “Zahir Pajaziti” përfundoi 1-0 në të mirë të vendasve.

Edhe pjesa e dytë solli disa raste shënimi, por epilogu përfundimtar mbeti 1-0 në të mirë të llapjanëve.

Pas kësaj fitoreje, Llapi arrin në kuotën 23 pikëve, aq sa ka edhe Prishtina në vendin e katërt, kurse Drenica radhitet në pozitën e shtatë me 17 pikë të tubuara.

Në ndeshjen e radhës, Llapi do të ketë punë me Ballkanin e Ismet Munishit, ndërsa Drenica pret Trepçën ’89./Llapi.info