Mirëmbajtja e lumit Llap nuk po shkon siç duhet, ani pse në të investohen mijëra euro, shkruan Llapi.info.

Shpeshherë ky lumë vazhdon të jetë i vërshuar nga mbeturinat e shumta, e që ndotësi më i madh është vetë njeriu.

Gjendje të tillë ka edhe pjesa e shtrirë përgjatë fshatit Lupç i Poshtëm. Shishe plastike, xhami dhe çdo lloj mbeturine tashmë kanë krijuar një deponi në shtratin e lumit. Madje, siç thonë banorët mbeturinat janë grumbulluar edhe nga një gyp i ujësjellësit.

Sipas banorëve të cilët edhe kanë dërguar pamje në Llapi.info, në këtë gjendje besohet se është për shumë muaj, teksa deri më tani nuk janë ndërmarrë masa në pastrimin e lumit.

Mbeturinat e shumta të cilat po hidhen në këtë lumë përveç që po ndotin ujin dhe ambientin përreth, janë duke krijuar edhe aromë të pa këndshme. Për këtë disa banorë po ndihen edhe të rrezikuar nga ndotja e tepërt.

Por, s’është vetëm ky vend ku bëhet kjo deponi bërlloku, pasi që lumi Llap prej kohësh është shndërruar në një “kosh plehrash”.

Duhet përkujtuar se qindra mijëra euro ndahen për rregullimin dhe mirëmbajtjen e shtratit të lumit Llap nga Komuna e Podujevës.

Ndërkaq, pak muaj më parë, Komuna e Podujevës ka përfituar 150 mijë euro për vazhdimin e rregullimit të shtratit të lumit Llap nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë./Llapi.info