Është bërë përurimi i ndriçimit publik prej rreth 4km në rrugën Podujevë – Kërpimeh, njofton Llapi.info.
I pranishëm në përurimin e këtij projekti ishte edhe i pari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, i cili tha se ky projekt ndikon në sigurinë e qytetarëve.
“Përuruam ndriçimin nga Podujeva deri në Bradash, që është në prej projekteve më të rëndësishme të këtij viti. Është projekt që ndikon drejtpërsëdrejti në sigurinë e qytetarëve. Edhe pse kjo rrugë është regjionale, ne me mjetet e Komunës kemi investuar në ndriçim dhe në trotuar pa ndihmën e ministrisë. Disa projekte të tilla janë të përfunduara edhe në qytet dhe do të vazhdojmë me rregullimin e ndriçimit deri në Merdar, projekt ky që është në realizim”, ka thënë Veliu.
Ndërkaq, sipas GAP-it, kanë nisur procedurat e prokurimit për ndërtimin e ndriçimit publik në magjistralen Podujevë-Merdar nga Shtedimi deri te dogana (pika kufitare). (Në këtë tender është përfshirë edhe ndriçimi në Orllan-vazhdimi dhe nga dalja e qytetit – Peran), me vlerë prej 148,417 euro./Llapi.info