Kuvendi i Komunës të Podujevës, në mbledhjen e mbajtur sot, ka miratuar vendimin për vënie në diskutim publik të Draft Strategjisë për Zhvillim Ekonomik Lokal 2020-2022 në Komunën e Podujevës dhe Rregulloren për tatimin në pronën e paluajtshme për vitin 2020, transmeton Llapi.info.

Kuvendi i Komunës së Podujevës ka mbajtur mbledhjen e rregullt, të cilën e udhëhoqi kryesuesi Fatmir Gashi, e ku ishte i pranishëm edhe nënkryetari i Komunës, Nexhmi Rudari dhe drejtorët e drejtorive.

Në mbledhjen e sotme Kuvendi ka shqyrtuar propozim vendimin për vënie në diskutim publik të Draft Strategjisë për Zhvillim Ekonomik Lokal 2020-2022 në Komunën e Podujevës; propozimin e Rregullores për tatimin në pronën e paluajtshme për vitin 2020, dhe ngritjen e Grupit punues për hartimin dhe paraqitjen e Planit të Punës së Kuvendit të Komunës për vitin 2020.

Drejtori i Drejtorisë së Planifikimit dhe Zhvillimit Ekonomik, Mirsad Kamerolli, ka prezantuar para kuvendarëve Draftin e Strategjisë për Zhvillim Ekonomik Lokal 2020-2022.

Pas diskutimeve lidhur këtë dokument, Kuvendi mori vendim për vënie në diskutim publik të Draft Strategjisë për Zhvillim Ekonomik Lokal 2020-2022 në Komunën e Podujevës.
Diskutimi Publik do të zgjatë 30 ditë, përkatësisht nga data 22 nëntor deri më 22 dhjetor 2019, ndërsa debati publik me qytetarë do të mbahet më 02 dhjetor 2019 duke filluar në ora 11;00 në sallën e mbledhjeve të Kuvendit të Komunës.

Drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Isuf Latifi, prezantoi propozim Rregulloren për tatimin në pronën e paluajtshme për vitin 2020, bashkë me raportin e Ministrisë së Financave – Departamenti i Tatimit në Pronë – mbi vlerësimin e përgjithshëm për objektet rezidenciale në Komunën e Podujevës.

Pas diskutimeve lidhur me këtë çështje, Kuvendi miratoi Rregulloren për tatimin në pronën e paluajtshme për vitin 2020.

Në mbledhjen e sotme Kuvendi ngriti edhe Grupin punues për hartimin dhe përgatitjen e Planit të Punës së Kuvendit të Komunës, për vitin 2020. Grupi punues përbëhet nga një anëtar i secilit subjekt politik të përfaqësuar në Kuvend./Llapi.info