Të mërkurën pasmesnate operatori kosovar i telefonisë mobile “Z-Mobile” është mbyllur dhe 220 mijë numrat e saj i kanë kaluar kompanisë amë – “Valës”. Kthimi i këtyre numrave po shihet si mundësi e mirë për ta rritur stabilitetin financiar në Telekomin e Kosovës dhe daljen nga kriza, përderisa ekspertët e ekonomisë theksojnë se për të arritur një gjë të tillë duhet të ndërrohet menaxhmenti i Telekomit.

Në pasmesnatën e së mërkurës 220 mijë numrat e telefonisë mobile “Z-Mobile” kanë kaluar zyrtarisht në platformën amë – “Vala”. Kompania “Z-Mobile” nisi të funksionojë si operator virtual i telefonisë mobile nga viti 2009 kur kishte lidhur kontratë me Telekomin e Kosovës, në të cilën parashihej që kjo kompani të ketë të drejtë ta shfrytëzojë gjithë infrastrukturën e Telekomit për të nisur biznesin e ri brenda tij.

Madje në kontratën, në të cilën Telekomi kishte vendosur t’ia krijonte vetes një konkurrent, parashihej që 78 për qind e fitimeve të shkonin për “Z-Mobile”-in, ndërsa 22 për qind për kompaninë amë.

Kjo kontratë 10-vjeçare ka rezultuar të jetë e dëmshme për Telekomin, që dikur ka qenë kompania më fitimprurëse në vend. Ndonëse kalimi i numrave nga “Z-Mobile” në “Vala” po shihet si mundësi për rritjen e stabilitetit financiar të Telekomit, njohësit e çështjeve ekonomike vlerësojnë se kjo nuk do të ndihmojë në rast se nuk ndërrohet menaxhmenti i Telekomit. /zëri/