Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj ka shkuar për ngushëllime në familjen Abazi nga Livoçi i Gjilanit, që humbi dy djemtë nga tërmeti në Shqipëri.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Haradinaj ka thënë se institucionet e vendit do t’i qëndrojnë në krah familjes Abazi, në përballimin e kësaj humbje.
“Institucionet e vendit do t’i qëndrojnë në krah familjes Abazi, në përballimin e kësaj humbjeje kaq të madhe”, ka shkruar Haradinaj.
Ndryshe, Ministria e Financave ka njoftuar të mërkurën se ka ndarë 20 mijë euro për familjen Abazi, ndërkohë sot Qeveria e Shqipërisë ka ndarë 16 mijë euro për këto familje.
Kështu deklaroi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në mbledhjen e sotme të qeverisë.
“Secila prej familjeve të vëllezërve Abazi nga Kosova do të marrë të njëjtën përkrahje financiare prej 1 milion lekësh të reja nga ky vendim i qeverisë së Republikës së Shqipërisë. Besoj që jemi dakord”, deklaroi Rama.
Dy vëllezërit nga fshati Livoç i komunës së Gjilanit Shemsedin Abazi, 32 vjeç dhe Isah Abazi, 29 vjeç humbën jetën pas shembjes së hotelit “Tropikal” në Durrës.