Sot zhvillohen tri ndeshje të javës së 17-të në Supërligën e Kosovës në futboll, me ç’rast do të jetë xhiroja e fundit e stinorit vjeshtor, njofton Llapi.info.

Në këtë javë, Llapi është nikoqir i ekipit nga kryeqyteti, Flamurtarit. Dueli pritet të fillojë në ora 12:55 në stadiumin e qytetit “Zahir Pajaziti”.

Djelmoshave të Tahir Batatinës iu duhet medoemos fitorja në këtë takim për t’i harruar rezultatet e dobëta në ndeshjet e fundit, derisa synim të njëjtë kanë edhe kuqezinjtë e Flamurtarit, në mënyrë që të largohen nga zona e rrezikshme e tabelës.

Në ndeshjen e fundit të zhvilluar në “Xhemail Ibishi”, Llapi e pati deklasuar Flamurtarin me rezultat të thellë 5-1.

Bardh e kaltrit nga Podujeva në këtë ndeshje hynë pas humbjes së pësuar në Gjilan nga Drita, kurse Flamurtari barazoi në shtëpi me Feronikelin.

Pas 16 javëve, Llapi ka 24 pikë dhe tani e gjen vetën në pozitën e shtatë, teksa Flamurtari ka 16 sosh dhe radhitet në vendin e nëntë.

Llapi – Flamurtari do të drejtohet nga treshja e gjyqtarëve: Kreshnik Vula, Erduan Baliqi dhe Imran Kabashi./Llapi.info