Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, ka kërkuar që Qeveria e re e Kosovës të formohet sa më shpejt, pasi që ka shumë punë që duhet bërë.

Heldt ka pasur një kërkesë për klasën politike në vend, në veçanti për fituesit e zgjedhjeve, VV-në, të cilët ende nuk po arrijnë të formojnë Qeverinë. Ai kërkon që Kuvendi të mblidhet sa më shpejt.

“Në këtë rajon ekziston konkurrenca. Ku duam të jemi pas 10 ose 20 vjetësh. Këto ndoshta janë disa nga çështjet e para që duhet theksuar. Ekziston një numër i madh i sfidave premtuese me të cilat mund të përballet qeveria e ardhshme. Formoheni këtë qeveri sa më shpejt që është e mundur, mblidheni Parlamentin pasi ka shumë punë që duhet të bërë. Arsimi është kyç, pastaj tregu i punës”, ka thënë ai.

Tutje, Heldt ka shtuar se në Kosovë ka gjëra që vërtetë mund dhe duhet të trajtohen.

“Ekziston një sfidë që mund të përmbushet po që ndodhet jashtë vendit e që është keqkuptimi që ka të bëjë me imazhin. Njerëzit e kanë mendimin se Kosova është një vend i dalë nga lufta, por kjo ndryshon sapo njerëzit vijnë në Kosovë. Ka gjëra që vërtetë mund të trajtohen këtu, së pari është çështja e aftësive të tregut, arsimimi, a është gjithmonë e nevojshme për të pasur një diplomë. Si mund të marrin staf të kualifikuar, këta nuk janë akademikët, por teknikët. Ka të bëjë me aftësimin e fuqisë punëtore. Pika tjetër, besueshmëria e furnizimit me energji elektrike. Një pikë tjetër si infrastruktura ligjore, juridike, investitorët ju duhet të presin me vite për të marrë vendimin për të vazhduar me një projekt”, tha ai.

Kujtojmë se VV dhe LDK si dy partitë e para në zgjedhje, kanë një muaj kohë pas certifikimit të rezultatit që të nënshkruajnë marrëveshje dhe të formohet Qeveria e re.

Në bazë të Kushtetutës, Kuvendi i Kosovës zgjidhet me mandat katërvjeçar, duke filluar nga dita e seancës konstituive, që mbahet brenda 30 ditësh nga dita e certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve.