Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, sot ka dorëzuar çelësat e shtëpive të reja për 20 familje, të cilat deri tani jetonin në kontejnerët e lagjes së Dëshmorëve në Balloc të Podujevës, njofton Llapi.info.

Në ceremoninë e organizuar, i pari i Podujevës ka thënë se është afër që të largohet edhe familja e fundit nga kontejnerët e kësaj lagjeje.

“Jemi shumë afër që ta përfundojmë këtë projekt dhe ta largojmë edhe familjen e fundit nga kontejnerët e kësaj lagjeje. Do ta rregullojmë edhe infrastrukturën përcjellëse, ku shumë shpejt do ta përurojmë ambulancën e re, për të mundësuar kushte normale të jetës për banorët e kësaj lagjeje, ashtu siç edhe jemi zotuar”, ka thënë Veliu.

Në Lagjen e Dëshmorëve deri tash janë ndërtuar 90 shtëpi, si pjesë e projektit të përbashkët të Komunës së Podujevës me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Ndërkaq, do të fillojë ndërtimi edhe i shtëpive të tjera për familjet e fundit që janë të strehuara në kontejnerët e kësaj lagjeje.

Kujtojmë, më 28 nëntor të vitit të kaluar u patën ndarë 20 çelësa të shtëpive të reja, ku për këtë projekt kishte kontribuar edhe Ministria e Financave./Llapi.info