Kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministre ka thënë për T7 se është aktive në negociatat me Lëvizjen Vetëvendosje për formim të koalicionit qeverisës

Një fotografi u përhap shumë nëpër rrjete sociale, të premten. Në të shtrohet një pyetje, se ku është kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministre të vendit.

E, kësaj pyetjeje, i është përgjigjur vetë Vjosa Osmani.

Kohëve të fundit në pah dolën edhe shumë deklarata për zbehje të rolit të Vjosa Osmanit, brenda LDK’së.

Por, sipas saj, gjithë këto deklarata kanë vetëm një qëllim.

Osmani për T7 ka deklaruar se është e përfshirë në çdo detaj të dy palëve për mundësinë e krijimit të një koalicioni qeverisës.

Nënkryetarja e LDK’së arsyeton pozicionin e kësaj partie karshi diskutimit për postin e presidentin me partinë që e drejton Albin Kurti, Lëvizjen Vetëvendosje.

Gruaja më e votuar ndonjëherë në Kosovë thotë se nuk ka fort rëndësi se kush, cilën ministri merr. Për të, dymbëdhjetë ministritë janë të rëndësishme.

Ndërkohë, ajo shprehet e bindur se koalicioni VV-LDK do të ndodhë.

Prandaj, sipas saj, komunikimi i vazhdueshëm mes dy subjekteve politike asnjëherë nuk është ndalur.