Mbeturina të shumta, lloç dhe gjithçka tjetër e ka “pushtuar” parkun buzë rrugës së “Xhamisë” në Podujevë, shkruan Llapi.info.

Përveç shumë deponive të mbeturinave, një gjendje jo e mirë mbetet edhe nëpër parqet e qytetit të Podujevës. Të tillë ka gjendjen edhe parku jo shumë larg Komunës. Madje, i njëjti thuajse është shndërruar në deponi mbeturinash.

Në bazë të pamje që i ka siguruar Llapi.info, shihen mbeturinat të cilat kanë zënë vend tashmë në këtë park. Mungojnë edhe shportat, të cilat do të mundnin ta “zbutnin” sado pak gjendjen në këtë park.

Duhet theksuar se Komuna e Podujevës ka paraparë gjoba nëpërmjet një rregulloreje që ka për qëllim mbrojtjen e mjedisit. Ato fillojnë nga 30 euro për ndotje akustike për persona fizikë dhe shkojnë deri në 5 mijë euro për persona juridikë për shkelësit e nenit 27 që flet për zonat e mbrojtura të natyrës.

Hedhja e mbeturinave vend e pavend ka qenë problem për qytetarët llapjanë për vite me radhë. Por, kjo s’është e meta e vetëm e këtij parku. Tashmë me nisjen e reshjeve, lloçi ka “pushtuar” atë. Në të njëjtin, as që është tentuar të mos e ketë këtë gjendje që krijohet sa herë që ka reshje. Autoritetet komunale nuk kanë bërë asnjë investim aty, përpos kubëzave që kalohet atypari./Llapi.info