Tahir Batatina nuk mendon për mbijetesë, ani pse Llapi i tij është më pranë zonës së kuqe se luftës për titullin kampion.
Trajneri dhe shtylla e klubit të Llapit thotë se pranvera është e gjatë dhe se lufta për titull nuk është mbyllur ende.
Ai ka paralajmëruar që llapjanët do të bëjnë së paku katër transferime në janar.
“Do të mundohemi të sjellim të paktën katër përforcime serioze dhe më pas të shohim në pranverë se cka do të ndodhë”, deklaroi Batatina për Gazetën Olle.
“Duhet ta dimë që në stinorin pranveror do të luhen edhe 16 ndeshje dhe lufta për titull nuk është mbyllur akoma”, shtoi Batatina.
Sa i përket largimeve të mundshme, ai ka theksuar që futbollistët aktual kanë kontrata një-vjecare me Llapin.
“Të gjithë lojtarët kanë kontrata me ekipin. Ata nuk mund të largohen pa lejen e Llapit, sepse kanë nënshkruar kontrata një-vjecare. Nëse Llapi nuk dëshiron, asnjë prej futbollistëve nuk mund të lëvizë”, shtoi ai.
Llapi në vjeshtë ka shënuar shtatë fitore, ka marrë tri barazime dhe ka pësuar plot shtatë humbje në 17 ndeshje të zhvilluara.
Pavarësisht investimit të konsiderueshëm të familjes Batatina, afati kalimtar i bërë në verë doli të jetë i dështuar.