Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka marrë vendim që rreth 80 mijë punëtorë që paguhen nga buxhet i shtetit t’i marrin pagat pa rritje. E, pas këtij vendimi, tashmë sindikatat kanë paralajmëruar greva, raporton Llapi.info.
Ligjin për paga, më 6 dhjetor të këtij viti në Gjykatën Kushtetuese e ka dërguar institucioni i Avokatit të Popullit, për siç thuhet “vlerësimin e përputhshmërisë” së këtij ligji me Kushtetutën, ligj ky i miratuar në muajin shkurt, teksa ka hyrë në fuqi në fillim muajit dhjetor.
Mirëpo, mbi 80 mijë punëtorë që paguhen nga buxheti i shtetit do të vazhdojnë t’i marrin pagat pa rritje, për çka në shumë sektorë ka filluar shfaqja e pakënaqësive, ku edhe janë paralajmëruar greva nga sindikatat.
Grevë dy-orëshe ka marrë vendim që të mbahet edhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (SBAShK). Greva, sipas kësaj sindikate, do të mbahet nga çerdhet deri tek universitetet. Ata po kërkojnë që pagat e dhjetorit t’i marrin me rritje, e që viktimë e grevës vazhdojnë të jenë nxënësit.
Vendimin e SBAShK-ut do përkrahë edhe Sindikata e Arsimit në Podujevë. Kryetari i kësaj sindikate, Fadil Halimi ka thënë për Llapi.info se krejt kjo vjen si rezultat i pezullimit të Ligjit.
“Greva do të mbahet edhe në Podujevë në të gjitha shkollat fillore, të mesme dhe në çerdhe, në dy orët e para në të dyja ndërrimet. Tashmë janë formuar këshillat greviste në shkolla. Ky vendim ka pasuar pas ankesës së Avokatit të Popullit në Gjykatën Kushtetuese, ankesë kjo e cila tash është shqyrtuar dhe është vendosur për pezullimin e Ligjit deri më 30 mars të vitit 2020”, ka thënë Halimi për Llapi.info.
“Prandaj, nxënësit nuk do vijnë në dy orët e para në ndërrimet paradite dhe pasdite”, ka përfunduar Halimi.
Arsyeja e mos marrjes së pagës me rritje, grevë për të premten kanë paralajmëruar edhe punëtorët shëndetësorë, por për këta të fundit greva do të jetë për disa orë më e gjatë.
Sipas vendimit të Federatës Sindikale të Shëndetësisë i marrë ditë më parë, greva do të mbahet duke filluar nga ora 07:00 deri në ora 15:00, ndërsa do të trajtohen vetëm rastet emergjente.
“Njëherë njoftojmë opinionin e gjerë që të gjitha pasojat në rast të reagimit më radikal të Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës do t’i bartin politikëbërësit, siç duket kanë dorë”, thuhet pos tjerash në njoftim e Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës.
Duhet potencuar se edhe Sindikata e Shërbimit Korrektues dhe e Policisë së Kosovës kanë deklaruar se do të ndërmarrin veprime kundër këtij vendimi të Gjykatës Kushtetuese./Llapi.info