Valmir Elezi, zëdhënës për media në KQZ ka thënë se ata kanë proceduar për pagesë në Ministrinë e Financave me listat e të gjitha komunave të anëtarëve të këshillave të vendvotimit dhe stafit tjetër të angazhuar në zgjedhjet e 6 tetorit.

Ai për klankosova.tv ka deklaruar se ka persona që nuk i kanë marrë akoma mjetet që i takojnë për arsye të ndryshme, të cilat kanë të bëjnë me: gabime në shënimin e numrit të llogarisë bankare, llogari joaktive, apo edhe llogari jopersonale.

“Në raste të tilla, këta persona duhet të komunikojnë me Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në komunën ku ka qenë i angazhuar gjatë këtyre zgjedhjeve për të paraqitur përmirësimet që duhen bërë në mënyrë që ta ridërgojmë për pagesë”.

“Numri i anëtarëve të këshillave të vendvotimit dhe stafit tjetër që janë angazhuar në zgjedhjet e 6 tetorit është rreth 22 mijë e 500. Nga ky numër vetëm 500 raste kemi pasur kur mjetet janë kthyer për ndonjërën nga arsyet e lartcekura. Shumë prej tyre janë ridërguar sërish për pagesë”.

“Gjithashtu, listat me personat e angazhuar si staf ditor në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve si dhe listat me personat e angazhuar në dërgimin e rezultateve nga Qendrat e Votimit – do t’i përcjellim për pagesë në Ministrinë e Financave gjatë javës që vjen”, ka thënë Elezi.