Kryetari i Komunës së Podujevës Agim Veliu, ka mbajtur takim publik me qytetarë, të cilët i ka informuar për realizimin e projekteve dhe aktivitetet e tjera të parapara për vitin 2019, transmeton Llapi.info.
Në takimin e sotëm publik Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, tha se projektet e miratuara në Kuvend dhe aktivitetet e tjera të planifikuara për vitin 2019 kryesisht janë realizuar dhe disa sosh janë në fazën e realizimit.
Kryetari Veliu tha se edhe në këtë vit investimet kapitale janë të orientuara në projekte të ndërtimit dhe rregullimit të infrastrukturës, të cilat do të ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e jetës së qytetarëve të Komunës sonë.
“Buxheti i Komunës për këtë vit është 22,032,619.00 euro, prej të cilave 6,701,334.00 euro për investime kapitale, ndërsa për subvencione 570,000.00 euro”, tha kryetari Veliu.
Kryetari Veliu ka informuar qytetarët me procesin e realizimit të disa prej projekteve kapitale nga Drejtoria e Planifikimit Urban dhe Mbrojtje të Mjedisit, ku ka përmendur asfaltimin e rrugëve në lagjet e qytetit, zgjerimin e Rrugës “Zahir Pajaziti” me infrastrukturë përcjellëse,
projekt ky që është në fazën finale të realizimit. Gjithashtu është në fazën përfundimtare projekti i asfaltimit të rrugës “Te xhamia” Podujevë me infrastrukturën përcjellëse ndriçim publik, kanalizim fekal, kanalizim atmosferik, rrejt të ujësjellësit, sinjalizim horizontal e vertikal, ura mbi lumin Llap (afër kompleksit banesor “Malësia”). Kryetari Veliu përmendi edhe asfaltimin e shumë rrugëve në fshatra dhe investime të tjera në rritjen e sipërfaqeve të gjelbëruara.
“Gjatë këtij viti kemi gjithsej 52,840.58m’ rrugë të asfaltuara, kurse 3,5 km rrugë të kubëzuara”, tha kryetari Veliu, duke shtuar se tashmë është hartuar raporti i vlerësimit strategjik mjedisor të Hartës zonale të Komunës së Podujevës.
Ndërsa, në sektorin e shërbimeve publike, kryetari tha se tashmë ka përfunduar realizmi i projekteve të ndërtimit të trotuareve në disa fshatra si dhe projekti i zgjerimit të shtratit të lumit Llap dhe lumenjve të tjerë, përgjatë rrjedhës së tyre në disa fshatra.
Kryetari Veliu tha se sivjet janë ndërtuar mbi 7 km trotuare, 13 km ndriçim publik në qytet dhe fshatra. 31 km rrjet i kanalizimit dhe 10 ura.
Në sektorin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, kryetari tha se edhe sivjet fermerët janë përkrahur përmes subvencionimeve. Është realizuar projekti për mbështetjen e fermerëve me 100 sera, janë shpërndarë 1,000 shoqëri bletësh për 100 fermerë, kurse 100 fermerë të tjerë janë mbështetur me motokultivatorë dhe pajisje përcjellëse. Ai gjithashtu përmendi projekte të tjera në bujqësi, siç është ndërtimi i pendave për ujitje të tokave bujqësore dhe analizat e tokës.
Kryetari Veliu gjithashtu përmendi investimet në arsim, siç janë ndërtimi objektit të shkollës “Dituria” në Llapashticë të Poshtme i cili është në fazën e përfundimit, fillimin e ndërtimit të objekti të shkollës “Elfir Behrami” në Metehi dhe ndërtimi i objektit të shkollës “Emin Duraku” në Bajçinë, e cila është investimi i MASHT-it, sikurse edhe objekti i shkollës “Kadri Kadriu” Llaushë e Poshtme. Kryetari Veliu përmendi edhe disa projekte të tjera të realizuara në përmirësimin e infrastrukturës së brendshme dhe të jashtme shkollore.
Në kuadër të projekteve të realizuara në sektorin e shëndetësisë, kryetari Veliu tha se ka përfunduar ndërtimi i ambulancës në Majac, kurse janë në ndërtim ambulancat në Obrançë dhe Lagjen e Dëshmorëve. Gjithashtu përmendi vazhdimin e projektit të ndërtimit të shtëpive në Lagjen e Dëshmorëve dhe investime të tjera në sektorin e shëndetësisë dhe mirëqenies sociale.
Kryetari Veliu, gjithashtu ka njoftuar qytetarët edhe me projektet e realizuara në sektorin e kulturës, rinisë dhe sportit, administratës dhe zhvillim ekonomik.
Qytetarët e pranishëm në takim publik kanë marrë pjesë në debat duke shtruar pyetje për projekte të ndryshme, të cilat kryesisht kishin të bëjnë me investime kapitale në infrastrukturë dhe shërbime publike.
Në pyetjet dhe interesimin e qytetarëve janë përgjigjur drejtorët e drejtorive përkatëse./Llapi.info