Në fshatin Llapashticë e Poshtme, sot solemnisht është përuruar objekti i ri i SH.F.M.U. “Dituria”, njofton Llapi.info.

Në ceremoninë e organizuar me rastin e përurimit të shkollës së re në fshatin Llapashticë e Poshtme, ishin të pranishëm Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu dhe zyrtarë të tjerë komunalë, qytetarë, prindër e veteranë të arsimit.

Veliu në fjalën e tij para të pranishmëve në këtë solemnitet, tha se nuk ka dhuratë më të mirë për nxënësit dhe mësimdhënësit e Shkollës “Dituria” për festat e fundvitit, sesa objekti i ri shkollor.

“Me ndërtimin e këtij objekti modern shkollor nga buxheti i Komunës, për nxënësit dhe mësimdhënësit e kësaj shkolle kemi krijuar kushte optimale për mësimdhënie dhe mësimnxënie. Në kuadër të investimeve për kompletimin e infrastrukturës shkollore në komunën tonë, shkolla e re Llapashticë nuk është e vetmja që ndërtuam dhe po ndërtojmë sivjet”, tha kryetari Veliu.

Tutje Veliu tha se investimi në arsim, është investim në të ardhmen tonë, në zhvillimin ekonomik dhe të gjithmbarshëm të vendit. “Do të vazhdojmë me pajisjen e shkollave me kabinete e mjete moderne për ngritjen e cilësisë në arsim. Rreth 18 mijë nxënësit në komunën tonë i kemi të përfshirë në arsimin parashkollor, fillor të mesëm të ulet dhe të mesëm të lartë. E, prioritet yni mbetet angazhimi dhe përkushtimi pandërprerë në ngritjen dhe avancimin e cilësisë me mësim”, tha kryetari Veliu.

Më tej kryetari Veliu përmendi edhe investimet e tjera që janë duke u bërë dhe janë planifikuar të bëhen në sektorin e arsimit në Komunën e Podujevës.

Edhe drejtori i SHFMU “Dituria”, Ahmet Kamerolli, foli për rezultatet e kësaj shkolle dhe shprehu mirënjohje për ndërtimin e objektit të ri. Në ceremoninë e përurimit nxënësit e shkollës shfaqën një program artistik.

Projekti i ndërtimit të shkollës “Dituria” është financuar nga buxheti i Komunës së Podujevës.

Shkolla e vjetër ishte ndërtuar para më shumë se 70 vitesh./Llapi.info