Axha i heroit Ali Ajeti, Hetemi mori vëmendjen e medieve duke publikuar një shkrim, në të cilin akuzonte për “vjedhje” kryetarin e Podujevës, Agim Veliu në ndërtimin e shtatores së heroit llapjan, raporton Llapi.info.

Hetemi nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook, ka deklaruar se komisioni që u zgjedh për ndërtimin e shtatores së parë u bllokua ende pa filluar mirë, e cila punë iu besua Izeir Mustafës.

Ai tha se maratona e pengesave për ndërtimin e shtatores ka zgjatur për 13 vjet. Sipas tij, pengesën më të madhe e kanë bërë Latif Gashi, Rrustem Mustafa dhe Agim Veliu. Kësisoj, siç ka thënë Hetemi, u shpall konkursi i ri dhe u zgjodh një person tjetër për ndërtimin e shtatores që ka kushtuar 80 mijë euro dhe ende pa u bërë një vit ka filluar t’i dalë ndryshku. Akuza të shumta i ka drejtuar Veliut, duke e akuzuar për “vjedhje”.

Mirëpo, këto deklarata i ka hedhur poshtë përfaqësuesi i familjes Ajeti, Isa.

Ky i fundit për Llapi.info ka thënë se nuk është keqpërdorur asgjë në ndërtimin e shtatores së Aliut. Ai ka shtuar se Hetemi s’e përfaqëson familjen Ajeti.

“Hetem Ajeti nuk e përfaqëson familjen edhe pse është axha i Aliut. Sa për informacione te pjesa e asaj që është potencuar se Hetem Ajeti ka akuzuar kryetarin se ka përfituar në emër të shtatores, ai s’e përfaqëson familjen Ajeti, konkretisht familjen e ngushtë të Aliut. Aliu e ka gjallë nënën, pesë vëllezër, dy motra, nipër dhe mbesa të cilët e përfaqësojnë dinjitetshëm emrin dhe veprën e Aliut. E kam parë edhe në media dhe portale tjera, por duhet të distancohen nga këto gjëra. Siç ua shpjegova edhe më lartë, Hetem Ajeti nuk e përfaqëson familjen e Aliut. Absolutisht aspak nuk ka përfitime të asnjë centi të vetëm”, ka thënë Isa Ajeti për Llapi.info.

Image may contain: 2 people, people smiling

Ndërkohë, shtatorja e Ali Ajetit u vendos në sheshin që mban pikërisht emrin e heroit më 15 shkurt të vitit 2018, ndërsa u zbulua në 10-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës./Llapi.info