Me një manifestim qendror, sot u shënua 21-vjetori i Betejës së Tabeve të Llapashticës, raporton Llapi.info.
Në tubimin e organizuar për nder të kësaj beteje, të pranishëm ishin përfaqësues komunalë, komandantë të UÇK-së për Zonën Operative të Llapit, përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, familjarë të dëshmorëve, ish luftëtarë dhe qytetarë të tjerë. Në këtë manifestim morën pjesë edhe komandanti Kadri Kastrati dhe komandant “Luta”.
Ky manifestim ishte organizuar edhe nën përkujdesjen e kryetarit të Podujevës, Agim Veliu, po ky i fundit s’ishte në këtë tubim, me ç’rast të pranishmit bënë homazhe në nderim të veprës së heronjve të kombit.
Në emër të Komunës foli kryesuesi i Kuvendit Komunal të Podujevës, Fatmir Gashi, i cili shtoi se kjo betejë i dha vulë luftës për çlirimin e Kosovës.
“Beteja e Tabeve të Llapashtivës është njëra nga betejat më të lavdishme të luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe jo vetëm në Llap. Në 24 dhjetorin e vitit 1998 këtu s’po zhvillohej vetëm një betejë, por po mbrohej një popull i tërë dhe po i jepej goditje të fortë armikut në luftën për çlirim të Kosovës. Jemi këtu për të dëshmuar edhe një herë ndjenjën e mirënjohjes për të gjithë pjesëmarrësit e kësaj beteje të lavdishme. Trimat e Llapit, duke ndjekur shembullin e komandantit të UÇK-së, heroit të Kosovës, Zahir Pajaziti me heroizmin e treguar i hapën rrugën lirisë së vendit tonë. Të rënët në këtë betejë përjetësuan ëndrrën e tyre për liri dhe i dhanë vulë luftës për çlirim. Ne sot krenohemi edhe me luftëtarët e gjallë të kësaj beteje që sot janë pjesë e rëndësishme e ndërtimit të Kosovës”, tha Gashi.
“Përkujtimi i kësaj beteje dhe luftës sonë të drejtë për çlirim, shpërfaq dhe promovon kujtesën tonë nacionale dhe besimin e palëkundur me drejtësinë e luftës dhe qëndresën tonë. Lufta shekullore për liri dhe amaneti i të rënëve është obligim dhe përgjegjësi për neve të gjallët. Obligimin tonë e përmbushim duke ndërtuar shtetin tonë, por edhe duke përkujtuar dëshmorët e martirët që ranë në kauzën e lirisë. Atyre që ranë për lirinë e vendit ua kemi borxh të punojmë më tërën dijen dhe përkushtimin tonë për të jetësuar ëndrrat dhe idealet e tyre, për një Kosovë të lirë e të zhvilluar”, ka thënë tutje ai.
Ndërsa, kryetari i shoqatës së Veteranëve të Luftës – dega në Podujevë, Fahri Balaj, shtoi se përkundër numrit të vogël të ushtarëve të UÇK-së, kjo betejë i solli goditje të mëdha pushtuesve serbë.
“21 vite më parë, në këtë kodër u zhvillua një ndër betejat më të rëndësishme në historinë e përpjekjes shqiptare për çlirim. Për katër ditë më radhë të përgjysmuar në numër në raport me forcat armike, por me vullnet të hekurt djemtë tanë luftuan dhe rezistuan deri në fund. Kjo betejë e zhvilluar shënon një ndër goditjet më forta që Ushtria Çlirimtare e Kosovës ia dha pushtuesit”, ka thënë Balaj.
Gjatë Betejës së Llapashticës, më 24 dhjetor 1998, nga radhët e UÇK-së ranë për të mos vdekur kurrë dëshmorët e kombit: Isa Havolli, Ismet Dërguti, Skender Zenjullahu, Miftar Zenjullahu, Lulzim Jashari, Bajram Murati, Avni Selmani, Fatmir Selmani, Remzi Demolli dhe Jetullah Kastrati.
Në nderim të veprës së heronjve, po ashtu janë bërë homazhe në kompleksin e Varrezave të Dëshmorëve në fshatin Penuhë dhe homazhe te Lagjja e Kastratëve në Obrançë./Llapi.info