Në Komunën e Podujevës ka kohë që ka filluar vendosja e shenjave të trafikut, raporton Llapi.info.
Mirëpo, të njëjtat po vendosen shkel e shko. E kjo edhe rrit rrezikun për aksidente të mundshme, teksa qytetarët edhe mund të pësojnë.
Shenjat janë vendosur krejtësisht në kundërshtim me njëra-tjetrën nëpër shumë rrugë të qytetit, gjersa të tilla janë vendosur edhe nëpër udhëkryqe, e kjo veçse rrit akoma rrezikun për aksidente.
Shumë instruktorë dhe ekspertë të komunikacionit e kanë thënë haptas se vendosja e tillë s’e përcakton në rregull rrjedhjen e komunikacionit.
Në kryqëzime të rrugëve në këtë Komunë janë të vendosura dy shenja krejt të kundërta. Një thotë të vazhdohet lëvizja me kujdes të shtuar (trekëndësh), e tjetra si ndalje e obliguar (stop). Me këtë nuk mund të nënkuptohet edhe vazhdimi i lëvizjes dhe ndalja e obligueshme.
Siç shihet edhe në fotografitë e siguruara nga Llapi.info, të dyja janë të vendosura në një shtyllë dhe në të njëjtin drejtim, në pjesë të cilat janë mjaft të frekuentuara.
Së fundi ka reaguar edhe eksperti i komunikacionit, Faton Bunjaku, i cili e ka quajtur këtë nënçmim për llapjanët.
“Kjo është me ta fy inteligjencën. Edhe sa do te vazhdoj vendosja e shenja te trafikut pa kurrfarë kriteri, joprofesionalizëm”, ka shkruar ndër të tjerash ai./Llapi.info