Foto ilustrim

Numri i madh i aksidenteve në Kosovë vazhdon të jetë shqetësues, e më shqetësues po del të jetë i atyre me fatalitet, shkruan Llapi.info.

Në çdo raport ditor të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se në nivel vendi ndodhin dhjetëra aksidente, ku nuk mungon as numri i atyre me persona të lënduar.

Jo pak aksidente kanë ndodhur edhe në rajonin e Llapit gjatë këtij viti që po e lëmë pas. Bazuar në statistikat e Policisë së Kosovës dërguar për Llapi.info, gjatë këtij viti kanë ndodhur 160 aksidente në këtë qytet.

Madje, ky vit nisi me aksidente fatale në njerëz, nga një përplasje veturash që ndodhi në magjistralen Prishtinë – Podujevë. E kur bëhet fjalë për këtë rrugë nacionale, nuk mungoi numri i madh i aksidenteve që ndodhën, gjersa këtë vit kanë qenë fatale në njerëz.

Nga 160 aksidente, 8 prej tyre ishin me 9 persona të vdekur. Kështu thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim të PK-së për rajonin e Prishtinës.

“Në rajonin e Podujevës në vitin 2019, kanë ndodhur 8 aksidente me 9 (nëntë) persona të vdekur, 30 aksidente me lëndime dhe 122 me dëme materiale”, thuhet në përgjigjen e PK-së për Llapi.info.

Krahasuar me vitin paraprak, në Podujevë këtë vit ka qenë më i vogël numri i aksidenteve, por më i madh ka qenë i atyre me pasoja fatale në njerëz. Pësuan edhe këmbësorë.

Ndërkaq, në nivel vendi, bazuar në statistikat e policisë, nga janari deri në nëntor, kanë ndodhur 14 mijë e 552 aksidente, në të cilat kanë humbur jetën 103 persona, derisa mbi 10 mijë persona të tjerë kanë pësuar lëndime.

Policia thotë se shkaktarët kryesorë të aksidenteve mbeten pakujdesia, përqendrimi i pamjaftueshëm dhe tejkalimi i shpejtësisë.

Policia e Kosovës për Llapi.info ka bërë të ditur se vetëm gjatë këtij viti në Kosovë kanë humbur jetën mbi 100 persona. Krahasuar me vitin e kaluar, thonë se numri i të vdekurve në aksidente ka shënuar rënie.

“Shtatë persona më pak kanë humbur jetën këtë periudhë të vitit sesa periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, megjithatë numri i aksidenteve fatale mbetet shqetësues. Pakujdesia, përqendrimi i pamjaftueshëm dhe tejkalimi i shpejtësisë mbeten ndër shkaktarët e humbjes së jetëve njerëzore nëpër rrugët tona, prandaj drejtuesit e automjeteve janë bartës kryesor të përgjegjësive gjatë pjesëmarrjes në trafik dhe të njëjtit duhet të jenë mjaftë të matur dhe vigjilent, sepse përveç rrezikimit të të tjerëve jo rrallë edhe vetë ata janë pjesë e statistikave fatale”, kanë deklaruar nga PK-ja.

Policia e Kosovës vlerëson se është e nevojshme një angazhim edhe më i madh ndërinstitucional, masa proaktive dhe aktive që duhet ndërmerren në vazhdimësi për të krijuar rrethana më të favorshme që numri i aksidenteve, në veçanti i atyre me fatalitet të reduktohet edhe më tej.

Ndërkaq, për të gjithë shkelësit e rregullave të trafikut, Policia e Kosovës ka shqiptuar plot 411 mijë e 127 gjoba./Llapi.info