Vjedhjet vazhdojnë të jenë dukuri mjaft shqetësuese edhe për qytetarët e Komunës së Podujevës, derisa numri i tyre po del të jetë i lartë përgjatë një viti, raporton Llapi.info.
Numri i vjedhjeve gjatë një viti kalon shifrën e mbi 300 rasteve në qytetin e Podujevës, madje shumica prej tyre po cilësohen si “vjedhje të rënda”.
Vetëm gjatë vitit 2019, në qytetin e Podujevës janë raportuar 361 raste për vjedhje, e që i bie thuajse nga një në secilën ditë. Nga gjitha këto raste të evidentuara, 199 prej tyre ishin të rënda. Kështu ka thënë për Llapi.info rreshterja e Stacionit Policor në Podujevë, Antigona Çitaku.
“Nga muaji janar 2019 deri më 29.12.2019 janë raportuar 361 raste të vjedhjeve dhe vjedhjeve të rënda. 199 kanë qenë vjedhje të rënda dhe të arrestuar kanë qenë 12 persona të dyshuar”, ka deklaruar Çitaku.
Krahasuar me vitin 2018, dukuria e vjedhjeve ka shënuar rënie vetëm për 6 raste përgjithësisht në rajonin e Llapit, por rritje ka pasur për “vjedhje të rënda”. Po ashtu, numri i të arrestuarve është shumë i vogël për vitin 2019.
Cak i hajnave po janë pronat e qytetarëve, qofshin ato në shtëpi banimi, dyqane apo edhe vetura. Rasti më i freskët ndodhi para dy jave në fshatin Peran të Podujevës. Sipas raportit të PK-së, në një shtëpi në këtë fshat u vodhën stoli ari. Në nivel vendi vjedhjet përgjatë një viti arrijnë të jenë me mijëra.
Duhet theksuar se Policia e Kosovë po ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme, duke përfshirë edhe sjelljen e kryesve të këtyre akteve të vjedhjes para organeve të drejtësisë.
Sipas Kodit Penal të Republikës se Kosovës, vjedhje klasifikohet vepra kur një personi tjetër i merret pasuria, e cila vlerësohet në shumën prej pesëdhjetë eurosh e më shumë, me qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm për vete apo për personin tjetër.
Personat që kryejnë vjedhje apo grabitje me përdorim të forcës apo kanosje serioze për personin tjetër, me qëllim të përvetësimit të pasurisë së luajtshme, dënohen me burgim nga tre deri në 12 vjet./Llapi.info