Një aksident trafiku ka ndodhur sot rreth orës 16:30 në magjistralen Podujevë – Merdare, raporton Llapi.info.
Në këtë aksident, sipas pamjeve që i ka siguruar Llapi.info, shihet se kanë qenë të përfshira dy vetura, të cilat kanë përfunduar jashtë rrugës kryesore.
Si pasojë e përplasjes së veturave, dy persona kanë mbetur të lënduar dhe të njëjtit kanë pranuar tretman mjekësor. Rastin për Llapi.info e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.
“Është raportuar për një aksident trafiku, ku janë përfshirë dy automjete. Si pasojë e aksidentit dy persona kanë pësuar lëndime. Njësitet policore kanë trajtuar rastin”, ka deklaruar Kelani.
Po ashtu, rastin për Llapi.info e kanë konfirmuar edhe nga Qendra Emergjente e Podujevës.
Ndërkaq, sipas statistikave të Policisë së Kosovës, vetëm dje në Kosovë kanë ndodhur 65 aksidente, ku prej tyre 20 kanë rezultuar me persona të lënduar./Llapi.info