Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq ka thënë se procesi i njohjeve të Kosovës është ndalur plotësisht.

Procesi i njohjeve të Kosovës është ndalur plotësisht dhe jo vetëm kaq por është në drejtimin e kundërt, sipas Ministrit të Jashtëm serb, Ivica Daçiq.

Ai po ashtu ka theksuar se kush do që dëshiron dialog dhe marrëveshje rreth Kosovës, atë duhet ta bëjë me Serbinë.

“Ne jemi të gatshëm, por nuk mund të pranojmë veprimet e njëanshme”, deklaroi Daçiq gjatë një interviste për “Kosovo Online”, transmeton lajmi.net.

Ai ka thënë se Beogradi është i gatshëm për vazhdimin e dialogut dhe kompromis, por pas heqjes së taksës ndaj mallrave serbe. Daçiq insiston se ai proces nuk ka shkuar deri në fund dhe duhet të legalizohet duke u marrë vendime në Këshillin e Sigurimit në OKB.

Daçiq ka thënë me plot bindje se aktualisht Kosova nuk ka shumicën në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, kurse më 2014 e kishte atë.

“Të gjitha që i them janë të dokumentuara, jo vetëm me nota zrtare por edhe deklarata të liderëve të atyre shteteve, andaj nuk ka vend për asnjë dyshim ose mohim të zyrtarëve kosovarë se bëhet fjalë për gënjeshtra”, theksoi ai, transmeton lajmi.net.

Daçiq ka thënë se aktualisht 93 shtete e njohin Kosovën, kurse pesë vite më parë numri ishte 113.

“Kur them 93, bëhet fjalë për një numër të saktë. 93 shtete e njohin Kosovën, 95 nuk e njohin, pesë shtete të tjera janë të pavendosura”, u shpreh ai.