Foto ilustrim

Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur mbrëmë rreth orës 23:00 në rrugën Zakut – Podujevë, raporton Llapi.info.

Në këtë aksident kanë qenë të përfshira tri vetura, teksa njëra sipas dëshmitarëve ka përfunduar jashtë rrugës kryesore.

Si pasojë e përplasjes së tri veturave, përveç dëmeve të mëdha materiale, kanë mbetur të lënduar pesë persona.

Lajmin për Llapi.info e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, i cili ka thënë se të lënduarit janë dërguar për tretman mjekësor.

“Mbrëmë rreth orës 23:00, në rr. Zakut-Podujevë është shkaktuar një aksident trafiku, ku të përfshira kanë qenë 3 automjete dhe si pasojë e aksidentit 5 persona kanë marrë lëndime trupore, të cilët janë dërguar për trajtim mjekësor. Njësitet kompetente policore kanë kryer proceduarat e vendit të ngjarjes dhe po kryejnë hetimet e nevojshme për shkaqet e aksidentit”, ka deklaruar Hoxha.

Sipas statistikave të Policisë së Kosovës, vetëm gjatë ditës së djeshme në Kosovë kanë ndodhur 46 aksidente trafiku, 17 prej tyre kanë përfunduar me persona të lënduar./Llapi.info