Llapi është duke vazhduar me prurje të reja, gjersa sot ka arritur marrëveshje me qendërmbrojtësin Florian Daci, njofton Llapi.info.
28-vjeçari ka nënshkruar kontratë për një vjet e gjysmë në ambientet e klubit dhe është prezantuar nga trajneri i ‘Legjendave’, Tahir Batatina.
Daci ka qenë pjesë e Tomorit, Turbinës, Lirisë së Prizrenit dhe së fundi pjesë e Kastriotit të Krujës.
“Podujevë, 8 janar 2020 – Florian Daci është futbollisti më i ri i Llapit. Daci në praninë e kryetrajnerit, Tahir Batatina ka nënshkruar kontratë me kohëzgjatje të 1 viti e gjysmë. Së fundmi, ai ishte pjesë e Kastriotit të Krujës. Florian Daci, 28 vjeç, i lindur më 02.04.1991, qendërmbrojtës me përvojë të madhe. Vie nga Kastrioti i Krujës, teksa ka qenë edhe pjesë e Tomorit, Turbinës dhe në Kosovë pjesë e Lirisë”, shkruhet në faqen zyrtare të klubit llapjan.
Kujtojmë se Llapi ka sjellë në radhët e veta përforcimin e madh nga Italia, ‘gardianin’ Giacomo Nava. Po ashtu, Llapi ka transferuar edhe Jasmin Raboshta, Nertil Hoxhaj dhe Atdhe Grajqevci./Llapi.info