VAR-i ka ndërhyrë plot tetë herë në ndeshjen gjysmëfinale të Superkupës së Spanjës, ndërmjet Barcelonës dhe Atletico Madridit që u zhvillua të enjten mbrëma në Arabinë Saudite.
Goli Lionel Messit u anulua për prekje të topit me dorë, derisa 13 minuta më pas, u anulua edhe goli i Gerard Pique, pasi paraprakisht Arturo Vidal që e dhuroi asistimin u konsiderua se ndodhej në pozitë jashtë loje.
Teknologjia e re, po ashtu, e rishikoi penalltinë e mundshme të Saul dhe konstatoi se ishte njëmbëdhjetëmetërsh, nga i cili Alvaro Morata e shënoi golin e barazimit.
Atletico ka mundur të merrte një tjetër penallti, kur topi e preku dorën e Gerard Pique, por sistemi VAR nuk i kërkoi gjyqtarit që ta shikonte në monitor. Dora e mbrojtësit të Barcës u konsiderua se ndodhej në pozitë normale në raport me trupin e tij.
Në fund, teknologjia e vijës së golit ndërhyri për t’ia konfirmuar golin e fitores Atletico Madridit, skuadër e cila triumfoi me rezultat 3-2 dhe në finale do të luajë kundër Real Madridit.