Gjykata Themelore në Prishtinë, dega Podujevë, e ka dënuar me gjashtë muaj burg efektiv të akuzuarin për veprën penale “lëndim të lehtë trupor”, Labinot Potera.
Sipas gjykatësit të çështjes, Gazmend Bahtiri, dënimin me burg i akuzuari do ta vuaj pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.
Por, gjykatësi Bahtiri, ka shtuar se me pëlqimin e të akuzuarit, dënimi me burg mund të shndërrohet në gjobë, në vlerë prej 2600 euro, ku pas llogaritjes së kohës së kaluar në arrest shtëpiak, nga 22 tetori deri më 22 nëntor 2019, si përfundim, do t’i bie të paguajë shumën prej 2000 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas aktgjykimit të së enjtes, i akuzuari ngarkohet edhe me shpenzimet e procedurës penale dhe atë 30 euro për paushallin gjyqësor, 20 euro për ekspertizën mjekoligjore dhe 30 të tjera për kompensimin e viktimave të krimit.
I dëmtuari Ardit Hyseni, për të realizuar kërkesën pasurore juridike, është udhëzuar në kontest të rregullt juridiko-civil.
Ky aktgjykim është shpallur pasi në seancën e mbajtur më 8 janar 2020, i akuzuari Potera e kishte pranuar fajësinë për veprën penale që i ngarkohet me aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
Sipas aktakuzës së ngritur më 1 nëntor 2019, Labinot Potera akuzohet se më 22 tetor 2019, rreth orës 21:05, në sallën sportive “Nderimi”, në fshatin Llapashticë e Poshtme, në mënyrë të befasishme e ka sulmuar të dëmtuarin Ardit Hyseni, pasi që ky i fundit kishte dal në korridor të objektit pasi kishte përfunduar lojën me ekipin e tij.
Në aktakuzë thuhet se i pandehuri e ka pritur në korridor dhe në befasi me dashje që t’i shkaktojë lëndime trupore nga mbrapa në mënyrë tinzare e ka goditur me një lopatë, por aty kanë ndërhyrë personat tjerë dhe e kanë ndarë.
Sipas aktakuzës, i dëmtuari ka pësuar lëndime të lehta trupore, me pasoja të përkohshme në shëndet.
Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “lëndim i lehtë trupor”, nga neni 185, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.