Sot bëhen 23 vjet nga rënia heroike e dëshmorëve Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu e Edmond Hoxha, njofton Llapi.info.

Ky përvjetor i pushkës së parë të lirisë e gjen të stolisur me flamuj kombëtarë vendlindjen e komandantit Zahir Pajaziti.

Rruga që të çon tek Kulla e Zahirit në fshatin Orllan të Podujevës është zbukuruar me flamuj të vendosur nga banorët së bashku me shoqëri civile.

Po ashtu, OJQ “SDK” në bashkëpunim me banorët e Orllanit, për nder të 31 janarit, të premten organizon edhe aktivitetin e dhurimit të gjakut nga vullnetarët në kullën e Zahir Pajazitit.

Ky aktivitet organizohet për nderim dhe mirënjohje për veprën dhe heroizmin e treguar nga heronjtë Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha.

Dhurimi i gjakut do të bëhet prej orës 11:00 dhe do të zgjasë deri në orët e pasdites. Organizatorët kanë ftuar të gjithë qytetarët që të bëhen pjesë e këtij aktiviteti.

Tre strategët, Zahiri, Hakifi dhe Emdondi ishin duke udhëtuar nga Prishtina në drejtim të Vushtrrisë, kur hasën në pritën e vënë nga forcat pushtuese në fshatin Pestovë, ku të tre bien heroikisht në luftë më 31 janar të vitit 1997./Llapi.info