Para pak ditësh ka nisur edhe zyrtarisht ndërtimi i sheshit në Podujevë, projekt ky që i stërzgjati Komunës së Podujevës, njofton Llapi.info.

E për t’u ndërtuar ky shesh edhe është mbyllur një pjesë e rrugës së qendrës në Podujevë, Zahir Pajaziti.

Në të njëjtin segment, kompania e kontraktuar ka larguar një pjesë e asfaltit, e që këto punime pritet të zgjatin edhe për disa ditë derisa të largohet tërësisht asfalti në tërë këtë segment që është i mbyllur për qarkullim të automjeteve.

Për dallim nga copat e asfaltit, drunjtë ende s’janë larguar. Ekzekutivi komunal s’po di se çfarë të bëjë me ta. Për këtë, Drejtoria për Planifikim Urban dhe Mbrojtjes së Mjedisit, ka thirrur debat publik me qytetarë për të enjten e 6 shkurtit, për t’i marrë opinionet e qytetarëve dhe gjetjes së një zgjidhje më të mirë për një shesh më të bukur.

“Drejtoria për Planifikim Urban dhe Mbrojtje të Mjedisit e Komunës së Podujevës, më 06.02.2020 (e enjte), në orën 11:00 (në Sallën e Kuvendit në objektin e vjetër të Komunës) organizon debat publik lidhur me çështjen e drunjve përgjatë Rrugës “Zahir Pajaziti”, në kuadër të realizmit të projektit Ndërtimi i bulevardit dhe sheshit “Sheshi i Dëshmorëve” në qendrën e qytetit. Debati me qytetarë organizohet me qëllim të marrjes së opinionit të qytetarëve dhe gjetjes së një zgjidhje më të mirë për një shesh më të bukur, në kuadër të projektit Ndërtimi i bulevardit dhe sheshit “Sheshi i Dëshmorëve” në qendrën e qytetit, i cili tashmë ka filluar të realizohet”, ka njoftuar Komuna e Podujevës.

Ndërkaq, projekti i ndërtimit të Bulevardit dhe Sheshit të Dëshmorëve është dy vjeçar, kurse me për shkak të fillimit të zhvillimit të punimeve një segment i Rrugës “Zahir Pajaziti” (nga udhëkryqi i rrugëve “Zahir Pajaziti” – “Dr.Bajram Krasniqi” deri te udhëkryqi i rrugëve “Zahir Pajaziti” – “19 Qershori” – Rruga e re tek Xhamia), është mbyllur për qarkullim të automjeteve.

Gjatë kësaj periudhe kohore qytetarët do të mund të shfrytëzojnë për qarkullim rrugët e tjera në qytet, duke përfshirë edhe rrugën e re tek Xhamia në anën perëndimore të lumit Llap./Llapi.info