Agim Veliu pritet të jetë Ministër i Punëve të Brendshëm në “Qeverinë Kurti”, pas propozimit që i është bërë nga kryesia e LDK-së, njofton Llapi.info.
E në rast se Veliu drejton këtë post, do t’i duhet të japë dorëheqje nga posti i kryetarit i Komunës së Podujevës.
Sipas ligjit, në momentin që e pranon pozitën e ministrit, Veliu duhet të japë dorëheqje nga pozita e kryetarit të Podujevës dhe kjo Komunë brenda 45 ditësh duhet t’i mbajë zgjedhjet e reja ku zgjidhet kryetari i ri.
Llapjanët pritet t’iu nënshtrohen kutive të votimit në zgjedhje lokale të jashtëzakonshme.
LDK thuajse në të gjitha zgjedhjet e kishte fituar Podujevën pa balotazh, përjashtuar zgjedhjet e fundit, kur Ajet Potera i Vetëvendosjes, kishte arritur që ta sfidonte LDK-në në krye me Agim Veliun.
Sot Kryesia e LDK-së e ka propozuar Agim Veliun për ministër të Brendshëm. Lajmin e ka konfirmuar edhe vetë Veliu.
Siç duket, propozimi i Veliut i ka sjellë dy “lajme” ish-kandidatit të partisë Fjala për kryetar të Podujevës në vitin 2017, Xhevdet Maloku. Ai e ka quajtur “lajm të hidhur për Kosovën propozimin e Veliut për ministër, ndërsa të madh për Podujevën”.
Maloku nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook, ka shtuar se është i gatshëm t’i sfidojë të gjithë kandidatët e LDK-së për kryetar të ardhshëm të Podujevës.
“Lajm i madh për Podujevën ndërsa i hidhur për Kosovën. Edhe unë i gatshëm për tu ballafaquar me cilindo kandidat të LDK për kryetar të Podujevës”, thotë ai.
Maloku ka qenë kandidat nga partia Fjala për kryetar të Podujevës në zgjedhjet e fundit lokale, ndërsa ka grumbulluar vetëm 322 vota. Veliu doli i pari me mbi 18 mijë sosh, ndërsa i dyti Ajet Potera i VV-së me mbi 11 mijë vota./Llapi.info