Në Kuvendin e Komunës së Podujevës, sot është mbajtur takim me qytetarë, në të cilin është diskutuar për çështjen e drunjve përgjatë rrugës “Zahir Pajaziti” në kuadër të realizmit të projektit të ndërtimit të sheshit në qendrën e qytetit, raporton Llapi.info.

Qytetarë të pranishëm në këtë debat të thirrur nga drejtoria për Planifikim Urban dhe Mbrojtjes së Mjedisit, kanë deklaruar se drunjtë përgjatë rrugës së qendrës duhet të hiqen dhe në ato hapësira të zëvendësohen me të pemë të reja. Por, ka që kanë kërkuar të largohen vetëm ata drunj që janë dëmtuar. Se që duhet të largohen e kanë thënë edhe inxhinierë të pylltarisë, për shkak të vjetërsisë së tyre.

Në këtë takim, të cilin e ka hapur për diskutim drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në Podujevë, Vezir Januzi, në mungesë të drejtorit të Urbanizmit, ka thënë se në lidhje me këta drunj është ngritur edhe komision nga ana e Komunës.

“Kemi shumë drunj në pjesën ku ka nisur ndërtimi i sheshit, ka nevojë të intervenohet për shkak të vjetërsisë. Kemi ngritur komision prej pesë personave dhe do ta bëjmë më të mirën, që t’i ruajmë dhe pyllëzojmë pjesën tjetër”, ka thënë Januzi.

Rizah Muçolli, zyrtar për mjedis, ka thënë se ekzistojnë dy opsione sa i përket drunjve përgjatë kësaj rruge.

“Kanë dalë dy kërkesa, të hiqen dhe të lihen. Komuna ka formuar një komision. Nga vlerësimi i bërë, 76 drunj duhet të hiqen, kurse 58 mund të qëndrojnë por jo shumë gjatë. Ka disa faktorë që kanë ndikuar në dëmtimin e tyre, si: krasitje të rralla, kripëra për shkrirje të borës, hapja e kanaleve e ndërtim të pusetave. Ka dy opsione; i pari të hiqen të gjithë dhe i dyti 76 drunj të hiqen dhe 58 të mbeten. Këta 58 mundemi me i lanë, por do të dëmtohen nga punimet”, ka thënë Muçolli.

Kurse, qytetarët të pranishëm në këtë debat publik janë shprehur se për të marrë pamje të bukur një shesh, drunjtë, sipas tyre, duhet të largohen. Kështu kanë thënë edhe afaristët që operojnë në këtë rrugë.

“Mendoj se duhet të hiqen, sepse disa janë dëmtuar dhe nuk janë krasitur mirë, ashtu edhe po pengojnë, por sipërfaqet duhet të bëhen me gjelbërim”, ka thënë Bajram Murati.

E në rast se nuk hiqen, një grup i qytetarëve janë shprehur të gatshëm edhe të protestojnë, vendimin e të cilëve e ka paraqitur njëri nga personat e këtij grupi.

“Në emër të qytetarëve, sheshi ndërtohet një herë dhe projekti është bajagi i mirë, nëse nuk hiqen drunjtë e humb estetikën. Andaj, ata duhet të hiqen sepse edhe janë të vjetër. Nëse nuk largohen kemi me dalë në protestë”, ka thënë një qytetar tjetër, i cili nuk është prezantuar përpara të pranishmëve në foltore.

“Qe 33 vjet jam afarist në qendër të Podujevës. Për çështjen e drunjve është dashur të bëhen konsultime me afaristët. Drunjtë e dëmtuar duhet të largohen, kurse të mirët të lihen. Ka drunj 200-vjeçar të vjetër, por të mbesin ata që janë të shëndetshëm”, ka thënë një qytetar tjetër.

Këshilltarja në Kuvendin e Komunës së Podujevës nga radhët e LVV-së, Doruntinë Hasani, ka propozuar që të zëvendësohen me drunj që janë të lartë, e jo të pritet siç ka potencuar ajo, 20 vite që të rriten pemët.

Se që janë dëmtuar edhe nga makinat e kanë thënë edhe qytetarë të tjerë, që sipas tyre, ka drunj 15-16-vjeçar që duhet të largohen për shkak të dëmtimeve.

“Për me ardhur projekti siç duhet, ata drunj duhet të hiqen”, ka thënë Milazim Rrahmani.

“Duhet të hiqen çfarë do forme të merr sheshi”, ka thënë afaristi Blerim Ismajli.

Kurse, Naser Krasniqi, inxhinier i pylltarisë, ka thënë se drunjtë duhet të largohen dhe të zëvendësohen me të tjerë 2-3 metra të lartë. Sipas tij, nëse ata lihen mund të ketë rrezik në raste kur ka era të forta, që sipas tij, nga vjetërsia e tyre, mund të bien edhe pjesë të drunjve.

“Kam shikuar dhe vlerësuar shëndetin dhe të jetë-gjatësinë e drunjve. Drunjtë janë dëmtuar dhe ka të tillë që s’kontribuojnë më. Kanë dëmtime në rrënjë dhe në trup. Në një investim kaq të madh, drunjtë duhet të largohen dhe të zëvendësohen me të ri të gatshëm dhe të gjatë deri në 2-3 metra të lartë”, ka thënë Krasniqi.

Drejtori i Drejtorisë së Inspektoratit, Durim Salihu, ka propozuar që edhe ata drunj të mirë të zhvendosen nëpër parqe.

Bunjamin Hoti, këshilltar komunal nga radhët e LDK-së, ka thënë se interesimi i qytetarëve është se duhet të hiqen dhe të zëvendësohen me drunj të rinj dhe të gatshëm.

Pas dhënies së opinioneve, drejtori Januzi ka deklaruar se në këtë bulevard që është duke u ndërtuar do të mbillen pemë të llojeve të ndryshme si dhe pisha.

“Do ta bëjmë një shesh që do të na kenë lakmi jo veç në Kosovë. Do t’i pyllëzojmë hapësirat e zbrazëta. Do të ketë lloje të ndryshme të drunjve, deri të pishat që do t’i dhënë pamje të mirë sheshit”, ka thënë Januzi, me ç’rast edhe mbylli këtë debat publik.

Vendimi për largimin ose jo të drunjve pritet të merret në Kuvendin e Komunës, por me gjasë drunjtë përgjatë rrugës së qendrës do të largohen dhe do të zëvendësohen me të rinj./Llapi.info