*Pranvera Berisha është studente e vitit të parë në Degën e Gazetarisë së Fakultetit të Filologjisë.
Në prill të 2017-ës u përurua tregu i gjelbërt në Podujevë, por mbeturina të shumta ndodhen përballë me këtë treg, i cili nuk po shfrytëzohet nga shitësit. Banorët fajësojnë komunën për mosndërmarrjen e masave të duhura, e përgjegjësit nga komuna thonë se faji është i qytetarëve e sidomos i shitësve.
Problemi me mbeturina në afërsi të këtij tregu është gjithnjë e më shumë pengesë për banorët në këtë lagje.
“Kundërmon erë e keqe dhe nuk mundemi të kalojmë nga qentë endacakë, nuk merret askush më këtë çështje. Vijnë e pastrojnë një ditë apo dy dhe më nuk vijnë”, tha një banor i kësaj pjese.
Ndërsa, zyrtari për Mbrojtje të Ambientit në Podujevë, Rizah Muçolli ka thënë se masa jemi duke ndërmarrë në vazhdimësi dhe se do të ndërmarrim deri në përmirësimin e gjendjes në atë pikë.
Më tutje shtoi se “Ato mbeturina vijnë nga të gjithë banorët e kryesisht nga shitësit përreth”.
Një tjetër banor tha se kjo se çfarë po bëjnë është e tmerrshme.
“Po e shihni edhe vetë kjo është e tmerrshme, komuna nuk ka sjell as kontejner për hedhjen e mbeturinave”.
Lidhur me këtë rast, Muçolli tha se afër dhe në treg janë të vendosur kontejner për nevojat e tregut, ndërsa banorët përreth kanë shërbime dy herë në javë, nuk kanë nevojë për hedhje të mbeturinave në atë pjesë.
Tutje zyrtari Rizah Muçolli theksoi se “Komuna në vazhdimësi e angazhon KRM “Pastrimi” sh.a për largimin e deponive të egra në qytet sipas kontratës që kemi. Komuna ndan buxhet 10 euro për 1m³ për largimin e deponive ilegale”, tha ai./Pranvera Berisha/Llapi.info