Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, tha se këngëtarja Nexhmije Pagarusha ishte simbol që i motivonte atë me miket e saj kur ishin të reja ta kalonin frikën dhe pasigurinë, njofton Klan Kosova.
Ajo këtë e deklaroi gjatë fjalimit në akademinë përkujtimore në nderim të këngëtare së njohur.
“Jam këtu para jush për ta ndarë dhimbjen e madhe për ndarjen nga jeta të bilbilit të këngës shqipe, Nexhmijes sonë. Këngët e së cilës i kemi dashur dhe njohur qysh në fëmijërinë e hershme”.
“Atë botë nuk e dinim se zëri ynë mund të dëgjohet në institucione dhe politikë, por mahniteshim me këngën dhe më shumë se me të, me atë që këngës ja jepte vulën, me Nexhmijen”.
“Yllin që po e ndriçonte shpirtin e secilit. Mahnitesha me mënyrën se si ajo më motivonte mua dhe shoqet e mija që të guxonim të ëndërronim që një ditë të kalonim frikën dhe pasigurinë”.
“Nexhmija i shtynte ëndrrat tona edhe shumë më larg në krijim e një bote që thyen konturat një shoqërie të mbyllur që atë e bëri të hapur ndaj botë së lirë”.
“Për të nuk mund të thuhet që jetonte vetëm në një hapësirë, bilbili ynë i krijonte hapësirat duke krijuar identitet të ri,siç e krijoi identitetin e këngës shqipe edhe identitetin e Kosovës”.
“Nexhmija është shndërruar në vlerë historike të popullit tonë. Largimi i saj nga kjo botë na detyron edhe më shumë si shtet të tregojmë kujdesje makismale ndaj njerëzve tanë, ndaj njerëzve që japin aq shumë për artin dhe kulturën nacionale”, ka thënë Osmani.