Më 15 mars 2020, banorët e Komunës së Podujevës do t’iu drejtohen kutive të votimit, për të zgjedhur kryetarin e ri, shkruan Llapi.info.
Këto zgjedhje vijnë pas dorëheqjes së ish-kryetari të Komunës, Agim Veliu, i cili u emërua ministër i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike.
Por, deri më tani, partitë politike në Podujevë po dalin si të papërgatitura. Madje, ende emrat e kandidatëve s’janë bërë të ditur.
Kur kanë mbetur më pak se një javë kohë për certifikim, asnjë prej tyre s’ka aplikuar për t’u certifikuar nga KQZ-ja.
Kështu ka thënë për Llapi.info, zëdhënës i KQZ-së, Valmir Elezi. Sipas tij, afati i fundit për certifikim është më 17 shkurt.
“Deri më tani nuk kemi pranuar ndonjë aplikim nga ndonjë subjekt politike për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Podujevës që do të mbahen më 15 mars 2020. Sipas afateve të përcaktuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, afati për aplikim për t’u certifikuar për pjesëmarrje në këto zgjedhje përfundon më 17 shkurt. Pra, deri në këtë datë subjektet politike (partitë politike, koalicionet, kandidatët e pavarur dhe iniciativat qytetare) duhet të paraqesin aplikimin edhe emrin e kandidatit të tyre për kryetar të komunës”, ka thënë Elezi.
Sipas KQZ-së, subjekti politik i cili në zgjedhjet e fundit ka fituar së paku 1 ulëse në kuvendin e komunës në fjalë dhe nuk duhet të mbledhë nënshkrime të përkrahjes dhe as të paguaj për certifikim. Ndërsa, subjekti politik i cili nuk ka fituar së paku 1 ulëse duhet të mbledhë 100 nënshkrime të përkrahjes së votuesve të regjistruar në atë komunë dhe të paguaj depozitën për certifikim në shumën prej 200 euro.
Ndërkohë, zgjedhjet e jashtëzakonshme për Kryetar në Komunën e Podujevës, bazuar në vendimin e presidentit Thaçi, do të mbahen më 15 mars 2020, pasi ish-kreu i Podujevës, Agim Veliu, ka dhënë dorëheqje për një post tjetër.
Për këto zgjedhje janë ndarë nga Komisioni Zgjedhor 491,517.00 euro për dy raunde, pra edhe për raundin e balotazhit nëse ka një të tillë./Llapi.info