Ministri i ri i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku ka vizituar sot pikat ku kanë ngecur punimet në zgjerimin e rrugës nacionale Besi – Podujevë, njofton Llapi.info.
Abdixhiku në këtë vizitë ka thënë se Qeveria Kurti do të ndajë mjete shtesë për dinamikën e zhvillime të punimeve.
“Rruga nga Prishtina për Podujevë është ndër rrugët më të ngarkuara sot. Mbi 18,000 vetura në ditë bëjnë këtë rrugë – secilën ditë e çdo ditë. Zgjerimi i rrugës ka nisur kaherë, por punimet janë zhvilluar ngadalë, pjesë-pjesë, e pa mbështetje të nevojshme financiare e vendimmarrëse. Sot pamë gjendjen në terren. Është larg prej të pritshmes. Nuk mundemi që një nga rrugët më të rëndësishme të vendit ta trajtojmë kështu”, ka shkruar ai në Facebook.
Ministri Abdixhiku ka shtuar se Qeveria e re e ka për prioritet përfundimin e projekteve që lidhin qytetet me kryeqytet.
“Kjo rrugë është një nga to. Prandaj, menjëherë do të ndajmë buxhet mjaftueshëm sa për të ndërtuar këtë rrugë në tërësi; e do t’i japim vëmendjen e munguar tash e sa kohë. Do t’i përfundojmë pjesët e neglizhuara deri tani; e do t’i nisim punimet për katër korsi deri në Besi, e nga Besia deri në Prishtinë. Ditëve në vijim, vëmendje të njëjtë do t’i japim rrugës Prishtinë-Mitrovicë e autostradave për Pejë e Gjilan. Tek pasi t’i kemi përfunduar këto lidhje në tërësi, mund të investojmë në megaprojekte të tjera sipas një plani mirë të menduar qeverisës”, ka përfunduar ai.
Ministri i Infrastrukturës, Lumir Abdixhiku vizitë këtyre punimeve i ka bërë nën shoqërimin edhe të ministrit të Brendshëm, Agim Veliu./Llapi.info