Në zgjedhjet e jashtëzakonshme që do të mbahen më 15 mars për kryetar të Komunës së Podujevës, janë tre kandidatë. Në garë do të jenë Nexhmi Rudari nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Shpejtim Bulliqi nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Naim Fetahu nga Partia Demokratike e Kosovës.
Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Nexhmi Rudari është shprehur i bindur se do të fitojë këtë garë më 15 mars.
“Për dallim nga kundër-kandidatët unë do të zbatoj planin sipas buxhetit, vetëm po presim miratimin e buxhetit për vitin 2020 dhe të vazhdojmë më implementimin e projekteve”, ka pohuar ai për Telegrafin.
Rudari ka thënë se zgjedhjet më 15 mars do të jenë rikonfirmim i Lidhjes Demokratike të Kosovës në Podujevë.
Komuna e Podujevës ka shkuar në zgjedhje pas dorëheqjes së Agim Veliut nga pozita e kryetarit, e që më pas ai u emërua ministër i Punëve të Brendshme të Kosovës.
Ndryshe, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka marrë vendim për kufizimin e shpenzimeve të fushatës zgjedhore për subjektet politike që do të marrin pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Podujevës.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përcaktuar kufirin e sipërm të shpenzimeve të fushatës zgjedhore për subjektet politike që do të certifikohen për pjesëmarrje në këto zgjedhje, në shumën: 43 mijë e 433 euro. Ky kufizim mbështetet në Rregullën Zgjedhore nr. 12/2013, sipas të cilës kufizimi i shpenzimeve të fushatës do të jetë 0.5 euro për votues të regjistruar.
Sipas listës jopërfundimtare të regjistrit civil numri i votuesve në komunën e Podujevës është: 86 mijë e 866 votues të regjistruar.