Qytetarët e Komunës së Podujevës më 15 mars do t’iu drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur kryetarin e ri. Në garë për kryetar të Podujevës janë Nexhmi Rudari nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Shpejtim Bulliqi nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Naim Fetahu nga Partia Demokratike e Kosovës.

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Shpejtim Bulliqi, ka shpalosur për Telegrafin një pjesë të plan-programit të tij, në qoftë se ai i fiton zgjedhjet e 15 marsit.

“Programi ynë ngërthen disa shtylla kryesore, duke filluar nga administrata, arsimi, shëndetësia, zhvillimi ekonomik, kultura, sporti dhe tjera. Këto janë prej fushave esenciale në të cilat do të përpiqemi të japim maksimumin tonë në mënyrë që të sigurojmë një funksionalizim të tyre në dobi të qytetarëve. Në qoftë së flasim për administratën komunale, përpjekja jonë do të jetë që të ngrisim një administratë profesionale, efikase, e saktë dhe e aftësuar për të kryer punë dhe kërkesat të cilat dalin nga ana e qytetarëve, ka thënë Bulliqi për Telegrafin.

Kandidati i LVV-së, gjithashtu ka thënë se çështje më rëndësi gjatë qeverisës së tij do të jetë edhe arsimi.

“Faktikisht edhe tek arsimi do të bëjmë përpjekje maksimale që të sigurojmë një staf profesional, të përgatitur dhe në këtë mënyrë t’i ketë për bazë reformat arsimore të cilat i kërkon sistemi arsimor në Kosovë. Sigurisht që do të bëjmë përpjekje maksimale që në shkollat tona duke filluar nga menaxhmenti e deri tek personali arsimor të depolitizohen, më një fjalë të largohet politika nga arsimi dhe të lëshohet vend për zgjedhjen e kuadrove profesional të dëshmuara, të cilët tregojnë rezultat”, pohoi ai.

Po ashtu, Bulliqi tha se edhe tek çështja e shëndetësisë janë një sërë prioritetesh.

“Prej punëve kryesore është që të sigurohet staf profesional shëndetësor, i cili është profesional në kryerjen e shërbimeve, pastaj do bëjmë përpjekje që të funksionalizojmë spitalin e qytetit. Një spital i cili në çdo fushatë është prerë shiriti gjatë periudhës zgjedhore, dhe në momentin e përfundimit të fushatës çdo gjë ka përfunduar aty. Angazhimi ynë do të jetë që të funksionalizohet ky spital”, u shpreh ai.

Kurse sa i përket aspektit të kulturës, Bulliqi tha se ndër prioritetet kryesore është ndërtimi i shtëpisë së kulturës.

Në fund, kandidati tha se kontributi i LVV-së do të jetë edhe në fusha tjera me rëndësi, gjithashtu ai premtoi se do të gjejnë zgjidhje sa i përket shujtës dhe udhëtimit te personelit arsimor. Bulliqi po ashtu theksoi se të gjitha bizneset do të lirohen nga taksat komunale.

Ndryshe, sipas listës jopërfundimtare të regjistrit civil numri i votuesve në komunën e Podujevës është: 86 mijë e 866 votues të regjistruar.