Kandidati për kryetar të Podujevës nga radhët e PDK-së, Naim Fetahu, ka akuzuar qeverisjen aktuale të Komunës së Podujevës se tenderët po u jepen, sipas tij, njerëzve të LDK-së, njofton Llapi.info.

“Buxheti komunal përbëhet nga të hyrat vetanake dhe grantet. Në këtë hyra kontribuojnë edhe qytetarët. Po e përmendi vetëm një rast. Një ndërmarrje në Podujevë i merr 27 tenderë për 20 muaj, vetëm pse është anëtar i LDK-së. Disa herë ka konkurruar si ndërmarrje e vetme, sepse ka humbur besimi se ndërmarrjet tjera munden me fitu. Është fjala për kompaninë “N.N Bini””, ka thënë Fetahu në RTV Dukagjini.

I pyetur se a është i njohur pronari i kësaj kompanie, kandidati dhe nënkryetari i LDK-së, Nexhmi Rudari ka thënë se e di vetëm emrin e kompanisë.

“Kjo kompani në lidhje me Lidhjen Demokratike të Kosovës nuk besoj që ka. Megjithatë, kompanisë emrin ia di. Punon me kanalizime. Nëse është e vërtet, atëherë procedurat e prokurimit janë transparente. Dhe, nëse ka shkelje ajo do të merrte masa. Nëse ka tenderu me çmimin më të lirë, rrjedhimisht e fiton ai që është më së liri”, ka thënë ai.

Por, bazuar në deklaratën që e ka dhënë për gazetën JnK, pronari i kompanisë “Bini”, Afrim Hajdari nuk e ka mohuar se është votues i LDK-së.

“Unë nuk jam zyrtar në parti, s’kam pozitë. Normal që e kam votu LDK-në, si krejt Llapi. Absolutisht hiç asnjë ndihmë se kam. Në komunën e Podujevës ma shumë fitojnë firma të qyteteve tjera se të Podujevës”, pati thënë ai./Llapi.info