Llapi ka arritur të shënojë fitore në shtëpi ndaj Feronikelit me rezultat 2-1, raporton Llapi.info.
Llapjanët e nisën mirë ndeshjen, kur në minutën e 13’, Ersil Ymeri shënoi për një 1-0. Mirëpo, epërsia e vendasve zgjati vetëm 5 minuta, pasi që në minutën e 18’, Ilir Berisha barazoi në 1-1. Me këtë rezultat skuadrat shkuan në pushim prej 15 minutash.
Me të nisur pjesa e dytë, Ersil Ymeri ngriti sërish epërsinë e llapjanëve, kur në minutën e 50’ shënoi për 2-1.
Feronikeli ka mundur të largohet me një pikë nga Podujeva, por që dështuan të shënojnë nga penalltia.
Ishte Jean Da Silva që mori përsipër ekzekutimin e penalltisë, por portieri italian Giacomo Nava e priti atë për t’ia siguruar tri pikët e para në pranverë skuadrës së tij.
Pas kësaj fitoreje, Llapi dhe Feronikeli ndajnë pozitën e pestë në tabelë me nga 28 pikë të tubuara.
Në ndeshjen e radhës, Llapi i shkon Ferizajt, kurse Nikli pret Trepçën ’89./Llapi.info