Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, në prezantimin e kandidatit të kësaj partie për kryetar të Podujevës, ka kritikuar ashpër qeverisjen aktuale të LDK-së, raporton Llapi.info.
Veseli, në një tubim në Llap, ka thënë se për shkak të interesave personale, duhet të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme në Komunën e Podujevës.
Sipas tij, nuk është dashur fare të shpenzohen rreth 500 mijë euro për këto zgjedhje të jashtëzakonshme.
Tutje Veseli ka kritikuar ashpër edhe ish-kryetarin e Podujevës, tani ministër i Punëve të Brendshme, Agim Veliun se vetëm për interesa të veta shkoi, siç ka thënë Veseli, për t’u akomoduar në Prishtinë.
Ai ka deklaruar se Podujeva edhe pas 20 vjetësh ka mbetur e pazhvilluar dhe një qendër e vogël, madje duke krahasuar me Malishevën.
“Nuk është gjendje e jashtëzakonshme në Podujevë, Podujeva dhe llapjanët kanë nevojë me 15 mars me e bë një vendim të jashtëzakonshëm, për t’iu treguar këtyre që mendojnë vetëm për karrige. Në fakt, këto zgjedhje janë preokupuar më shumë për shkak të interesave të njerëzve, të cilët s’po ngihen asnjëherë dhe të cilëve më 15 mars duhet t’i japin përgjigje llapjanët. Nuk kena pasur nevojë në qoftë se promovojmë gjëra tilla me i harxhua paratë e taksapaguesve rreth 500 mijë euro, për qejfin e dikujt (Agim Veliut) me marrë pozicion më të lartë me shku me u akomodua në Prishtinë. Pse nuk e sjellim Prishtinën në Podujevë? Pse Podujeva për 20 vite, njëra nga qendrat kryesore të rezistencës anti-jugosllave, pse me i jep kaq besim me mbajt pushtete në Podujevë dhe Prishtinë, e për vete mos me fitua asgjë. Podujeva sot është një qendër e vogël pothuajse si Malisheva, njëjtë. Në vend se me qenë qendër regjionale dhe me pasur zhvillim. 500 mijë euro vetëm për qejfin të kandidatit, i cili mendon me u akomodua në Prishtinë. Pastaj me bë shaka çdokush me një semafor që vendoset në Podujevë”, ka thënë Veseli./Llapi.info