Ish-kryetari i Komunës së Podujevës, tani ministër i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Agim Veliu ka arritur t’i përfundojë vetëm 10 premtime nga 32 sosh që i kishte premtuar gjatë fushatës zgjedhore, njofton Llapi.info.
Këto të dhëna i ka publikuar në platformën “Letërnjoftimi i Komunave”, instituti për studime të avancuara, GAP. Sipas këtij instituti, ish-kreu i Komunës së Podujevës, Agim Veliu në fushatën e fundit zgjedhore (2017) i kishte bërë 32 premtime.
Përmes një komunikate për medie bëhet e ditur se platforma është rifreskuar me informata që përmbledhë të dhëna nga fillimi i këtij mandati deri në muajin dhjetor të vitit 2019, përkatësisht gjysma e mandatit të kryetarëve aktual të komunave.
Për gjysmë mandati, sipas GAP-it, Veliu ka arritur t’i përmbushë vetëm 10 premtime. Ky i fundit i kishte bërë plot 32 sosh, ndërsa 7 prej tyre janë gjysmë-të përmbushura. Të filluar janë katër dhe 11 prej tyre as që është dhënë myzhdeja se kanë nisur. Gjithmonë sipas këtij instituti, ngecje ka në shëndetësi dhe shërbime publike.
Punët që s’kanë nisur: “Ndërtimi i këndeve të lojërave për fëmijë veçmas në zonat urbane, rregullimi dhe ndriçim i hyrjeve banesore, pajisja e banesave të qytetit me ashensorë, parkingu nëntokësor në zonën qendër (Podujeva I). Përkrahje për zejtarët e qytetit, duke ju ofruar kushte me të mira pune si dhe mundësi për ekspozim të mallrave. Kënde të lojërave për fëmijë si dhe kënde rekreative-sportive në fshatin Obrançë. Vazhdimi i asfaltimit të rrugës kryesore në fshatin Bervenik deri në pjesën e skajshme. Rregullimi i sheshit kryesor të qytetit”, janë disa nga premtimet që sipas GAP, nuk kanë nisur së realizuari.
Veliu gjatë fushatës zgjedhore më së shumti premtime pati bërë në infrastrukturë (20), (2) premtime në shëndetësi, (3) në arsim e për shërbime publike ai kishte bërë (7) premtime.
Instituti GAP bën monitorimin e përmbushjes së premtimeve në 26 komuna, sepse disa nga kryetarët aktual nuk kanë zhvilluar fushatë zgjedhore.
Përmes vlerësimit të premtimeve zgjedhore, instituti GAP ka për qëllim që t’i mbajë të përgjegjshëm kryetarët e zgjedhur për premtimet e dhëna. Vlerësimi i premtimeve bëhet në mënyrë periodike përmes bashkëpunimit me organizatat lokale.
Ndërkohë, tashmë Podujeva do t’i mbajë zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Komunës më 15 mars, pasi që Veliu dha dorëheqje për t’u bërë ministër i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike./Llapi.info