Sot bëhen 23 vjet nga rënia heroike e dëshmorit të kombit, Besnik Restelica, njofton Llapi.info.

Në kohën kur ishin krijuar kushtet që Besniku t’u bashkohej formacioneve të Zonës së Llapit, e udhëhequr nga komandanti Zahir Pajaziti, sigurimi shtetëror serb arrestojë Besnikun, më 30 janar të vitit 1997.

Natën e arrestimit, në shtëpinë e Besnikut kishte qëndruar mysafir shoku i tij, Sylejman Jashari, i cili po ashtu u arrestua nga policia serbe. Ai u arrestua në ditën kur ranë heroikisht Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha.

Të arrestuarit u dërguan në Burgun e Prishtinës. Në hetuesi për 25 ditë me radhë, Besniku iu nënshtrua torturave shtazarake nga kriminelët serbë.

Me arrestimin e Besnikut, UÇK-së iu shkëput një hallkë shumë e rëndësishme organizative dhe nga gjiri i saj u nda njëri ndër bijtë më të devotshëm. Dhuna mizore e ushtruar mbi trupin e Besnikut ia mori jetën më 24 shkurt të vitit 1997. Për meritat e tij, Besniku u shpall dëshmor i kombit.

Në këtë përvjetor, nga ora 13:00 do të bëhen homazhe pranë varrit të dëshmorit te Xhamia e Vjetër në Podujevë./Llapi.info